​Aktakuzë ndaj një personi për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan, së paku 30 paqeruajtës u patën lënduar

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj A.S., për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. “Sipas aktakuzës, më 29 maj 2023 nga ora 06:00 e mëngjesit e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin ku ndodhet objekti…

Lajme

10/11/2026 17:12

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj A.S., për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

“Sipas aktakuzës, më 29 maj 2023 nga ora 06:00 e mëngjesit e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin ku ndodhet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri A.S., në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, ka marrë pjesë në grupin e personave në kryerjen e këtyre veprave penale.

A.S., akuzohet se në bashkëkryerje, përmes përdorimit të dhunës i ka sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri. Si pasojë e këtyre sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, dhe së paku 30 (tridhjetë) pjesëtarë të KFOR-it, 3 (tre) prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë këtij sulmi po ashtu, janë sulmuar edhe veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite.

Prokuroria Speciale do të ndërmarrë dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e plotë të sulmit të 29 majit, ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë.

Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.

Autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra të dyshuar për dhunën në Zveçan vitin e fundit.

Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë në lidhje me dhunën në Zveçan.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.