Aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, dyshohen për kultivim të kanabisit – sekuestrohen afro 20 mijë euro dhe municion

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet F.G. dhe N.G., të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kultivuar bimë të kanabisit. Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, ndërsa ndaj N.G. është ngritur aktakuzë shtesë…

Lajme

02/06/2026 14:25

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet F.G. dhe N.G., të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kultivuar bimë të kanabisit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, ndërsa ndaj N.G. është ngritur aktakuzë shtesë edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, transmeton lajmi.net.

Hetimet lidhen me një aksion të realizuar më 9 tetor 2025 në Prizren, ku gjatë kontrollit në pronën e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar bimë të kanabisit. Ekspertiza forenzike ka konfirmuar se bimët përmbanin substancën narkotike kanabis-marihuanë.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar edhe 19 mijë e 900 euro, për të cilat autoritetet dyshojnë se janë përfituar nga aktiviteti i kundërligjshëm i kultivimit të narkotikëve.

Po ashtu, në veturën e të pandehurit N.G. janë gjetur dhe konfiskuar 65 fishekë, të cilët dyshohet se mbaheshin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për armët.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit të provave dhe zhvillimit të procesit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas dispozitave ligjore në fuqi./lajmi.net/