Aktakuzë ndaj drejtorit të një shkolle në Prizren, keqpërdori pozitën zyrtare për përfitim personal nga një firmë të kalldasë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.B., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” . Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej marsit të vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022 në Prizren, në…

Lajme

04/03/2025 13:31

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.B., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” .

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej marsit të vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022 në Prizren, në kohë të pacaktuar në cilësinë e personit zyrtar – si U.D. drejtor i njërës prej shkollave të mesme në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo t’i shkaktoj dëm personit tjetër, në atë mënyrë që kontrakton investitor – firmën “E.B.” për servisimin dhe riparimin e kalldasë dhe radiatorëve të shkollës në shumën prej 995 €, firmën N.P.“E.” për gjelbërimin e shkollës me lule dhe fidanë në shumë prej 899.50 €, firmën N.T.Sh. “Q.” për pastrimin dhe mirëmbajtjen e ollukëve të kulmit të shkollës në shumën prej 995.40 €, dhe operatorin DPT “I.” për furnizimin e shkollës me material për zyre në shumë prej 980 €, ashtu që ka realizuar pagesat në bazë të procesverbaleve, pa i pranuar shërbimet e operatorëve nga anëtarët e komisionit që figurojnë në procesverbalet të cilat kanë deklaruar se nënshkrimet nuk janë të atyre, dhe nuk i kanë pranuar këto mallra dhe shërbime, që kapin shumën 3.869,90 €, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal në Prizren. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

“Gjithashtu, i njëjti prej 26.07.2021 deri më 15.11.2021, në cilësinë e personit zyrtar – si U.D. drejtor i njërës prej shkollave të mesme në Prizren, ka falsifikuar dokumentet zyrtare, në atë mënyrë që ka përpiluar dhe lëshuar dokumentin në emër të anëtarëve të komisionit të shkollës të cilëve iu ka munguar vendimi se janë anëtarë të komisionit, duke i nënshkruar procesverbalet pa njohurinë e anëtarëve të komisionit dhe atë në emër të: A.B., E.S., E.N., R.M., Sh.M., A.D., A.I. dhe D.B., ku në bazë të këtyre procesverbaleve janë realizuar pagesa për operatorët e lartcekur pa dijeninë, nënshkrimin dhe prezencën e anëtarëve të komisionit, të cilët kanë mohuar pranimin mallrave dhe shërbimeve për nevojat e shkollës. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” sipas KPRK-së”,thuhet në njoftimin për media.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./Lajmi.net/