Aktakuzë ndaj D.N për krime lufte, si komandant i nënstacionit në Zhegër nuk parandaloi plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjen e 29 civilëve shqiptarëve

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj D.N, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”. Sipas Prokurorisë, D.N, akuzohet se gjatë periudhës mars-prill 1999, si komandant i nënstacionit në Zhegër të Komunës së Gjilanit, nuk ka ndërmarë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjen e 29…

Lajme

24/11/2025 16:46

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj D.N, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas Prokurorisë, D.N, akuzohet se gjatë periudhës mars-prill 1999, si komandant i nënstacionit në Zhegër të Komunës së Gjilanit, nuk ka ndërmarë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjen e 29 civilëve shqiptarë.

Sipas aktakuzës, D.N ishte në dijeni se më 30 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa më 27 mars 1999 ishte sulmuar fshati Llashticë.

“I pandehuri D.N., së bashku me komandantin e Statcionit të Policisë në Gjilan, kishin urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit. D.N edhe pse ishte njoftuar përmes një letre nga të dëmtuarit nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar ose për ti paraqitur rastet për hetim, por ishte larguar nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar Prokuroria Speciale. /Lajmi.net/