Aktakuzë kundër tre personave në Prizren për shitblerje të 12 kg narkotikë dhe armëmbajtje pa leje
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave: N.I., E.M., dhe H.H., të cilët ndodhen në paraburgim që nga muaji mars 2025, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të lidhura me narkotikë dhe armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “blerja,…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave: N.I., E.M., dhe H.H., të cilët ndodhen në paraburgim që nga muaji mars 2025, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të lidhura me narkotikë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, transmeton lajmi.net.
Hetimet zbulojnë se më 28 shkurt 2025, N.I. kishte shitur rreth 1 kg marihuanë për 2,400 euro në afërsi të fshatit Landovicë, Prizren. Ndërsa më 7 mars 2025, në bashkëveprim me E.M. dhe H.H., ata tentuan të shisnin mbi 10.5 kilogramë marihuanë në vlerë rreth 25,000 euro, ku u arrestuan në flagrancë nga Policia e Kosovës. H.H. kishte arritur të ikë në momentin e bastisjes, por u arrestua disa ditë më vonë.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të pandehurit N.I., autoritetet kanë sekuestruar edhe rreth 1.2 kg marihuanë, një armë zjarri, fishekë, pajisje për pastrimin e armës, peshore digjitale për peshimin e drogës dhe 3,965 euro, që dyshohet të jenë përfituar nga shitja e narkotikëve.
Gjithashtu janë sekuestruar edhe dy vetura të përdorura në veprimtarinë kriminale: një Audi dhe një VW Bora.
Prokuroria ka propozuar që të gjitha mjetet e sekuestruara dhe pasuritë e fituara në mënyrë të kundërligjshme të konfiskohen me vendim përfundimtar nga gjykata.
Aktakuza tashmë është dorëzuar në gjykatë dhe prokurori i çështjes ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./lajmi.net/