Aksioni tek agjencitë shtetërore- arrestohen katër persona, një mashkull dhe tri femra

Ka përfunduar aksioni i nisur tash e disa orë tek disa agjenci shtetërore që gjenden në Prishtinë. Aksioni që në fokus kishte Arkivin e Kosovës është përmbyllur me arrestimin e tre personave të dyshimtë. Lajmi.net mëson se nën pranga nga Policia e Kosovës janë përcjellur një mashkull dhe tri femra. Në një deklarim të bërë…

Lajme

16/07/2025 12:10

Ka përfunduar aksioni i nisur tash e disa orë tek disa agjenci shtetërore që gjenden në Prishtinë.

Aksioni që në fokus kishte Arkivin e Kosovës është përmbyllur me arrestimin e tre personave të dyshimtë.

Lajmi.net mëson se nën pranga nga Policia e Kosovës janë përcjellur një mashkull dhe tri femra.

Në një deklarim të bërë më herët nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për lajmi.net u tha se në koordinim me Policinë e Kosovës sipas urdhëresës nga gjykata ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e arkivës shtetëror dhe institucionin kadastral të Republikës së Kosovës.

Sipas prokurorisë rasti lidhet me “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës sipas urdhëresës nga gjykata ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e arkivës shtetëror dhe institucionin kadastral të Republikës së Kosovës për veprën penale ”Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Prokurori i shtetit  për çdo zhvillim të mëtejshëm do të ju mbajmë të informuar”, u tha në përgjigje.

Bëhet fjalë për rastin e avokatit të arrestuar së fundi, Venhar Hana si dhe instruktorit Dritmir Islami.

Avokati Hana është arrestuar më 11 qershor – nën dyshimin për falsifikim dhe mashtrim.

Hana dhe Islami dyshohen për keqpërdorim që lidhet me ndërrimin e një parcele në Veternik të Prishtinës, me një tokë mali në Prizren.

Hana dhe Islami gjenden në paraburgim për veprat penale të legalizimi të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe falsifikim i dokumenteve.

Kurse zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani tha për lajmi.net se Policia me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë është duke realizuar një operacion policor i cili përfshinë tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.

“Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”,tha Kelani./Lajmi.net/