Aksioni në qendra të estetikës: Intervistohen 11 persona, sekuestrohet sasi e konsiderueshme e produkteve medicinale dhe pajisje tjera
Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës, kanë realizuar dje aksion në disa qendra të estetikes, nën dyshimin për kryerje të aktiviteteve që ndërlidhen me veprimtarinë e “ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore farmaceutike”. Policia e Kosovës, sot përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se janë realizuar urdhëresa për kontroll në disa lokacione, dhe janë gjetur…
Lajme
Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës, kanë realizuar dje aksion në disa qendra të estetikes, nën dyshimin për kryerje të aktiviteteve që ndërlidhen me veprimtarinë e “ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore farmaceutike”.
Policia e Kosovës, sot përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se janë realizuar urdhëresa për kontroll në disa lokacione, dhe janë gjetur e sekuestruar sasi e konsiderueshme e produkteve medicinale, regjistra të ndryshëm të klientëve, dhe shërbimeve të ofruara dhe pajisje elektronike si llaptop, shtëpiza kompjuterike dhe DVR të kamerave.
Si të dyshuar, janë intervistuar 11 persona në prani të avokatëve mbrojtës, dhe katër të tjerëve iu është lënë ftesa për paraqitje në organe të hetuesisë.
Të dyshuarit janë liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
“Prishtinë / 17.12.2025 – 10:30. Njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me persona të dyshuar nën dyshimin për kryerje të aktiviteteve që ndërlidhen me veprimtarinë e ‘’Ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore farmaceutike’’. Lidhur me rastin janë realizuar urdhëresa për kontroll në disa lokacione ku gjatë kontrollit është sekuestruar sasi e konsiderueshme e produkteve medicinale, regjistra të ndryshëm të klientëve, dhe shërbimeve të ofruara dhe pajisje elektronike si llaptop, shtëpiza kompjuterike dhe DVR të kamerave. Në cilësi të personave të dyshuar janë intervistuar njëmbëdhjetë (11) persona në prani të avokatëve mbrojtës, kurse katër (4) personave të tjerë u është lënë ftesa për paraqitje në organet e hetuesisë. Me vendim te prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh.
Në lidhje me këtë aksion, dje detaje ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të kësaj Prokurorie, dje janë kontrolluar 15 lokacione, biznese në Prishtinë, që dyshohet se kanë ofruar shërbime estetike duke përdorur produktin medicinal Botoks edhe pse sipas ligjit, ofrimi i këtij shërbimi bëhet nga personeli i certifikuar.
“Po ashtu, bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se në Republikën e Kosovës, nuk ka operator ekonomik të licencuar për importin e këtij produkti medicinal dhe si i tillë, ky produkt mbi këto rrethana, trajtohet si ilegal. Prokuroria Themelore në Prishtinë, do të vazhdojë me përkushtim të plotë ndërmarrjen e masave ligjore ndaj çdo forme të veprimtarisë së kundërligjshme, me qëllim parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie negative në mbrojtje të interesit publik dhe shëndetit të qytetarëve”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim të Prokurorisë. /Lajmi.net/