Aksioni i sotëm policor lidhet me përgjimet në “SkyECC” për trafikim droge e shpëlarje parash – deri tani pesë persona të arrestuar

Një operacion i gjerë i Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale ka nisur sot që në orët e para të mëngjesit. Ky operacion po zhvillohet prej disa orësh në disa lokacione të Kosovës. Nga Prokuroria Speciale u bë e ditur për lajmi.net se vepra për të cilën janë ngritur…

Lajme

24/09/2025 13:07

Një operacion i gjerë i Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale ka nisur sot që në orët e para të mëngjesit.

Ky operacion po zhvillohet prej disa orësh në disa lokacione të Kosovës.

Nga Prokuroria Speciale u bë e ditur për lajmi.net se vepra për të cilën janë ngritur këto hetime ka të bëjë me narkotikë, e krim të organizuar.

“Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në disa lokacione. Operacioni lidhet me dyshimet për trafikim me substanca narkotike dhe veprat penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet pas përfundimit të operacionit policor”, u than nga Prokuroria Speciale.

Por siç merr vesh lajmi.net ky operacion lidhet me rastin e njohur në publik si “Qielli i thyer”.

Deri më tani nga policia janë arrestuar pesë persona, të cilët dyshohet të kenë pasur ndërlidhje me grupin e lartcekur.

Po ashtu në këtë operacion janë sekuestruar prova të ndryshme, të cilat do të përdoren si dëshmi gjatë procesit të hetimit të rastit.

Rasti i njohur si “Qielli i thyer” po hetohet tash e sa kohë nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar , në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave”, vepra këto që në të shumtën e rasteve thuhet të jenë kryer përmes aplikacionit të njohur si “SkyECC”.

Të arrestuar nga aksioni i kaluar në këtë rast janë: Shemsi Bahtiri, Rexhep Nikçi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Buçetaj, Erduan Ismajli, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Ylli Musliu, Safet Ljajic, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardian Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy.

Në aksionin e njohur si “Qielli i thyer” ishin aktivizuar rreth 500 zyrtarë policorë të njësive të ndryshme.

Poashtu organet e hetuesisë patën njoftuar se në kuadër të këtij operacioni të koduar  “Qielli i Thyer” janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 500 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha papajtueshmëritë e të pandehurve në këtë rast./Lajmi.net/