Aksioni i sotëm policor lidhet me arrestimin e avokatit Hana dhe instruktorit Islami- hetimet për ndërrimin e tokave të Prishtinës me vlerë milionëshe

Njësi të shumta policore janë duke kryer një aksion të gjerë prej disa orësh në kuadër të agjencive shtetërore që gjenden në Prishtinë. Para objekteve janë parë njësi të shumta policore, derisa brenda saj po vazhdojnë bastisjet. Në lidhje me këtë aksion, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë të cilët kanë bërë të ditur…

Lajme

16/07/2025 11:10

Njësi të shumta policore janë duke kryer një aksion të gjerë prej disa orësh në kuadër të agjencive shtetërore që gjenden në Prishtinë.

Para objekteve janë parë njësi të shumta policore, derisa brenda saj po vazhdojnë bastisjet.

Në lidhje me këtë aksion, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë të cilët kanë bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës sipas urdhëresës nga gjykata ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e arkivës shtetëror dhe institucionin kadastral të Republikës së Kosovës.

Sipas prokurorisë rasti lidhet me “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës sipas urdhëresës nga gjykata ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e arkivës shtetëror dhe institucionin kadastral të Republikës së Kosovës për veprën penale ”Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Prokurori i shtetit  për çdo zhvillim të mëtejshëm do të ju mbajmë të informuar”, u tha në përgjigje.

Kurse siç mëson lajmi.net bëhet fjalë për rastin e avokatit të arrestuar së fundi, Venhar Hana si dhe instruktorit Dritmir Islami.

Avokati Hana është arrestuar më 11 qershor – nën dyshimin për falsifikim dhe mashtrim.

Hana dhe Islami dyshohen për keqpërdorim që lidhet me ndërrimin e një parcele në Veternik të Prishtinës, me një tokë mali në Prizren.

Hana dhe Islami gjenden në paraburgim për veprat penale të legalizimi të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe falsifikim i dokumenteve.

Kurse zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani tha për lajmi.net se Policia me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë është duke realizuar një operacion policor i cili përfshinë tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.

“Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”,tha Kelani.

Ai theksoi se pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacionet shtesë.

Hetimet në lidhje me këtë rast kanë filluar më parë, ndërsa kur ishte kërkuar dosja e lëndës në Gjykatën e Prizrenit, në kadastrën e Prizrenit dhe në Arkivin e Kosovës- lënda nuk ishte gjetur askund.

Në kadastrën e Prizrenit nuk ishte gjetur pasi kadastra ishte djegur në vitin 2007, e në gjykatë thanë se këto lëndë janë dërguar në Arkivin e Kosovës.

Në Gjykatën e Prizrenit kanë thënë se kjo lëndë dhe lëndët e tjera të ish-gjykatës së qarkut janë dërguar në Arkivin e Kosovës.“Ne pas kërkesës suaj ju kemi drejtuar arkivit të Gjykatës për ta kërkuar këtë lëndë dhe nga arkiva e Gjykatës jemi njoftuar se të gjitha lëndët e divizionit civil të cilat i kanë takuar gjykatës së qarkut deri në vitin 1999 janë dërguar në Agjencinë shtetërore të arkivave të Kosovës”, u tha nga Gjykata e Prizrenit.

E nga Arkivi patën thënë për kallxo se janë në renovim dhe nuk mund ta gjejnë lëndën tash por ka treguar një regjistër se si ishte dërguar kjo lëndë nga Gjykata e Prizrenit e ku numri i kësaj lënde figuronte i zbrazët dhe ishte dërguar me një aneks shtesë./Lajmi.net/