Aksion simbolik në solidaritet me Teatrin Kombëtar në Tiranë

Teatri Kombëtar në Tiranë u shemb mëngjesin e sotëm.

ShowBiz

17/05/2020 15:57

Një aksion simbolik është paralajmëruar për orën 17:00 në Prishtinë, më shenjë solidariteti me protestat në Tiranë, pas shembjes së objektit të Teatrit Kombëtar.

Përmes një njoftimi të shpërndarë në Facebook, aksioni do të organizohet për shprehjen e kundërshtimit ndaj veprimit të Qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës.

“Qeveria e Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, në një akt të paprecedent, sot herët në mëngjes ka shembur godinën historike të Teatrit Kombëtar Shqiptar. Aksioni banditesk është shoqëruar me dhunë ndaj artistëve dhe aktivistëve qe po e mbronin teatrin tash e gati 3 vite. Me dhjetëra aktivistë e artistë janë arrestuar dhe dërguar në stacion policor në orët e hershme të mëngjesit, duke përfshi këtu edhe gazetarë. Në mars 2020, ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Tiranës u listua ndër shtatë objektet më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra – një ndër organizatat më të mëdha për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Evropë. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrë protestë sot në Tiranë dhe me qindra qytetarë tashmë janë mbledhur në zonën rreth Teatrit. Në shenjë solidariteti me përpjekjen e tyre gati tre vjeçare, sot në ora 17:00 do të mblidhemi para Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të shprehur indinjatën tonë me këtë arrogancë të pashoqe dhe kundërshtimin tonë ndaj këtij veprimi të Qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës. Ftojmë të gjithë/a ata/o që ndajnë të njëjtat bindje, të na bashkohen sot para Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke respektuar rekomandimet e IKSHPK dhe vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së COVID – 19. Ju lutemi të jeni të pajisur me maska e dorëza si dhe të mbani distancën prej së paku 2 metrash nga pjesëmarrësit/et tjerë/a në aksionin simbolik. Për të mbajtur distancën e rekomanduar ju lutemi të pozicionoheni tek pikat e vendosura në sheshin para Teatrit”, thuhet në njoftim./Lajmi.net/