Aksion i Policisë në Ferizaj: Zbulohen dhe konfiskohen tri armë zjarri, dy persona nën hetim
Në dy raste të ndara në Ferizaj, Policia ka konfiskuar gjithsej tri armë zjarri dhe ka iniciuar procedura penale ndaj personave të dyshuar. Rasti i parë ka ndodhur më 13 prill 2026, rreth orës 21:20, pas informacioneve të siguruara nga hetuesit rajonalë. I dyshuari G.R. (47 vjeç) është identifikuar nën dyshimin për posedim të kundërligjshëm…
Lajme
Në dy raste të ndara në Ferizaj, Policia ka konfiskuar gjithsej tri armë zjarri dhe ka iniciuar procedura penale ndaj personave të dyshuar.
Rasti i parë ka ndodhur më 13 prill 2026, rreth orës 21:20, pas informacioneve të siguruara nga hetuesit rajonalë. I dyshuari G.R. (47 vjeç) është identifikuar nën dyshimin për posedim të kundërligjshëm të armës. Pas kontaktit me Policinë, ai ka pranuar se posedonte armë në banesën e tij dhe ka bashkëpunuar me autoritetet. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në rrugën “12 Qershori”, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë. I njëjti është intervistuar në prani të avokatit dhe, me autorizim të prokurorit, është iniciuar rast për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Rasti i dytë ka ndodhur më 15 prill 2026, rreth orës 18:50, pas një njoftimi për mosmarrëveshje në fshatin Nekodim. Në vendin e ngjarjes është konstatuar një konflikt verbal mes dy personave, P.R. (35 vjeç) dhe M.R. (43 vjeç). Gjatë hetimeve është vërtetuar se i dyshuari P.R. kishte kanosur palën tjetër.
Pas intervistimit, i dyshuari ka pranuar se posedonte armë në shtëpinë e tij. Me urdhër të prokurorit, është kryer kontrolli ku janë sekuestruar një pushkë gjahu, një pistoletë me dy karikatorë dhe një sasi municioni. Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Kanosja”.
Policia njofton se hetimet do të vazhdojnë, ndërsa po verifikohet edhe dokumentacioni për armët e sekuestruara. /Lajmi.net/

