Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zhvilluar sot në orët e hershme të mëngjesit një aksion në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, ku janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për disa vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është realizuar nga Departamenti për Krime të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, raporton lajmi.net
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë gjashtë persona me inicialet F.S., L.R., N.S., A.I., A.Sh. dhe B.B.
Të dyshuarit po hetohen për veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, “Mashtrimi”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Deklarimi i rremë nën betim”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit” dhe “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”.
Komunikatë e plotë:
Arrestohen gjashtë persona për veprat penale: ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, keqpërdorimi i informatës zyrtare, mashtrimi, legalizimi i përmbajtjës së rreme, dhënia e ryshfetit, marrja e ryshfetit, deklarimi i rremë nën betim, marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit, dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës’’
Prishtinë, 07 maj 2026- Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, njofton opinionin publik se sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë dy aksione në lokacionet: Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar (6) persona me inicialet F.S., L.R., N.S. A.I., A.Sh., dhe B.B. prej 48 orësh, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprave penale: ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘’Keqpërdorimi i informatës zyrtare’’, nga neni 416 të KPRK-së, ‘’Mashtrimi’’, nga neni 323 të KPRK-së, ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’, nga neni 395 të KPRK-së, ‘’Deklarimi i rremë nën betim’’, nga neni 383 të KPRK-së, ‘’Marrja e ryshfetit’’, nga neni 421 , ”Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 të KPRK-së, ‘’Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit’’, nga neni 194 të KPRK-së‘’, si dhe ‘’Shkelja e fshehtësisë së procedurës’’, nga neni 392 të KPRK-së.
Në kuadër të këtij aksioni, Prokurori i Shtetit ka sekuestruar: dy (2) vetura në vlerë rreth 80.000 euro, një (1) orë dore të markës Rolex në vlerë afro 8000-10.000 euro, pesë (5) telefona celularë, si dhe dokumente të tjera të cilat do të shërbejnë si prova materiale në këtë procedurë penale.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e ndonjërën prej masave të sigurisë në procedurë penale ndaj të pandehurve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin./Lajmi.net/