Aksion i madh i policisë në veri, gjenden armë dhe bluza me simbole nacionaliste serbe

Njësitë e Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë një bastisje në një lokal në zonën e Leposaviqit, ku dyshohet se janë shitur produkte me mbishkrime dhe simbole nxitëse. Përveç mallit të kontrabanduar dhe veshmbathjeve nacionaliste serbe, Dogana e Kosovës ka nisur të konfiskojë tashmë edhe me dhjetëra pije alkoolike dhe pajisje për përpunimin e saj. Ky…

Lajme

02/09/2025 14:28

Njësitë e Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë një bastisje në një lokal në zonën e Leposaviqit, ku dyshohet se janë shitur produkte me mbishkrime dhe simbole nxitëse.

Përveç mallit të kontrabanduar dhe veshmbathjeve nacionaliste serbe, Dogana e Kosovës ka nisur të konfiskojë tashmë edhe me dhjetëra pije alkoolike dhe pajisje për përpunimin e saj.

Ky mall i kontrabanduar është gjetur brenda një lokali në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, i cili është ndërtuar ilegalisht.

Rastin për Lajmi.net e ka konfirmuar zv. drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili bëri të ditur se rasti është duke u trajtuar me seriozitet të lartë.

“Rreth orës 12 jemi njoftu nga Njësitet e Policisë Kufitare se në një lokal në zonën e Leposaviqit shiten pije, logo, maica, thika, elektroshok etj”, ka deklaruar Elshani.

Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes ka dalë Njësiti i Hetimeve Rajonale me asistencën e Doganës së Kosovës.

Për shkak të përmbajtjes së materialeve të gjetura – përfshirë mbishkrime potencialisht nxitëse dhe artikuj të ndjeshëm është njoftuar edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

“Deri tani nuk kemi persona të arrestuar dhe bastisja ende është në vazhdim. Pas përfundimit të saj dhe intervistimeve të nevojshme, në bashkëpunim me Prokurorin e rastit do të dijmë se si të veprojmë tutje,” ka shtuar Elshani./Lajmi.net/