Aksion i gjerë sigurie në Dubravë, përfshihet edhe njësiti K9

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë bastisjeje në Qendrën Korrektuese të Dubravës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjes së nivelit të sigurisë brenda institucionit korrektues. Sipas njoftimit, gjatë këtij operacioni janë kontrolluar të gjitha hapësirat e brendshme të qendrës, përfshirë dhomat…

Lajme

16/01/2026 14:27

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë bastisjeje në Qendrën Korrektuese të Dubravës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjes së nivelit të sigurisë brenda institucionit korrektues.

Sipas njoftimit, gjatë këtij operacioni janë kontrolluar të gjitha hapësirat e brendshme të qendrës, përfshirë dhomat e të burgosurve, si dhe ambientet e jashtme, sallat e sportit dhe hapësirat e tjera përcjellëse, transmeton lajmi.net.

Në aksion kanë marrë pjesë zyrtarë korrektues nga institucione të ndryshme korrektuese, si dhe njësiti special K9, duke garantuar një proces të detajuar dhe profesional të kontrollit.

Pas përfundimit të bastisjes, autoritetet kanë bërë të ditur se nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Gjatë kontrollit janë larguar vetëm sende të tepërta nga dhomat e të burgosurve dhe nga hapësirat e përbashkëta.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka falënderuar të burgosurit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë aksionit, duke theksuar se operacione të tilla kanë për synim ruajtjen e rendit, sigurisë dhe krijimin e një ambienti korrektues të qetë dhe të sigurt./lajmi.net/