Aksion antidrogë në Kaçanik: Sekuestrohen mbi 17 kilogramë marihuanë, dy persona në pranga
Dy persona janë arrestuar në Kaçanik, ndërsa policia ka sekuestruar afro 18 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, pas një operacioni të zhvilluar nga njësitë hetimore dhe ato të antidrogës. Ngjarja ka ndodhur të premten pasdite, kur zyrtarët policorë tentuan të ndalonin një automjet për kontroll rutinë. Drejtuesi i veturës nuk iu bind…
Lajme
Dy persona janë arrestuar në Kaçanik, ndërsa policia ka sekuestruar afro 18 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, pas një operacioni të zhvilluar nga njësitë hetimore dhe ato të antidrogës.
Ngjarja ka ndodhur të premten pasdite, kur zyrtarët policorë tentuan të ndalonin një automjet për kontroll rutinë. Drejtuesi i veturës nuk iu bind urdhrit të policisë dhe arriti të largohej përkohësisht nga vendi i ngjarjes.
Pas angazhimit të njësive të ndryshme policore, automjeti u lokalizua dhe u ndalua. Gjatë hetimeve në terren, zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj kontrolluan zonën ku dyshohej se kishte kaluar vetura dhe gjetën tre thasë të hedhur në një hapësirë me mbeturina.
Brenda tyre u zbulua substancë e dyshuar narkotike, e cila sipas policisë dyshohet se ishte hedhur nga personat që ndodheshin në automjet gjatë ikjes nga kontrolli policor.
Pesha totale e substancës së sekuestruar arrin në 17 kilogramë e 834 gramë. Përveç narkotikëve, policia ka konfiskuar edhe prova të tjera që lidhen me rastin.
Në lidhje me këtë rast janë arrestuar një shtetas i Shqipërisë, 65 vjeç, dhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut, 25 vjeç, të dyshuar për përfshirje në veprën penale që lidhet me posedimin dhe shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve.
Me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.