Aksidenti tragjik në Komoran – Tre të lënduarit në QKUK, njëra vajzë futet në operacion

Një aksident i rëndë trafiku në orët e hershme të mëngjesit në Komoran i ka marrë jetën 24-vjeçares Rea Raka, ndërsa tre anëtarë të familjes së saj kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Familja po kthehej nga Aeroporti i Tiranës kur ndodhi vetaksidenti tragjik, që përfundoi me humbjen e jetës së të resë. Tre të…

Lajme

21/07/2026 16:56

Një aksident i rëndë trafiku në orët e hershme të mëngjesit në Komoran i ka marrë jetën 24-vjeçares Rea Raka, ndërsa tre anëtarë të familjes së saj kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Familja po kthehej nga Aeroporti i Tiranës kur ndodhi vetaksidenti tragjik, që përfundoi me humbjen e jetës së të resë.

Tre të lënduarit u transportuan fillimisht në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku iu nënshtruan ekzaminimeve të nevojshme mjekësore.

Nga QKUK kanë bërë të ditur për Klankosova.tv se njëra nga pacientet është operuar nga ekipet e Kirurgjisë Abdominale, Urologjisë dhe Anestezionit, ndërsa pas përfundimit të ndërhyrjes kirurgjikale është transferuar në Mjekimin Intensiv për trajtim të mëtejshëm.

“Pas realizimit të ekzaminimeve të nevojshme, njëri nga të lënduarit është dërguar në sallën operative të QE nga ekipet e Kirurgjisë Abdominale, urologjisë dhe anestezionit. Pas intervenimit kirurgjik pacientja është dërguar në MIQ për vazhdim të tretmanit.”

Sipas QKUK-së, dy të lënduarit e tjerë janë aktualisht në gjendje stabile, megjithëse kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Njëri prej tyre po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ndërsa tjetri në Klinikën e Ortopedisë.