AKP shpall shitjen e radhës SHAL 72

Mundësi të Reja Investimi në të Gjithë Kosovën Agjencia Kosovare e Privatizimit shpall Shitjen e Aseteve me Likuidim ShAL 72 e cila përfshinë 79 asete të Ndërmarrjeve Shoqërore në të gjitha rajonet e Kosovës. Me këtë rast është shpallur një numër i madh i aseteve në zonat urbane dhe rurale për blerës të interesuar për…

Lajme

08/05/2025 11:20

Mundësi të Reja Investimi në të Gjithë Kosovën

Agjencia Kosovare e Privatizimit shpall Shitjen e Aseteve me Likuidim ShAL 72 e cila përfshinë 79 asete të Ndërmarrjeve Shoqërore në të gjitha rajonet e Kosovës.

Me këtë rast është shpallur një numër i madh i aseteve në zonat urbane dhe rurale për blerës të interesuar për investime në prona me potencial të shfrytëzimit komercial, bujqësor dhe rezidencial.

Kryeqyteti prinë me mbi 30 parcela në lokacione si Matiçan, Çagllavicë, Graçanicë, Podujevë dhe Lipjan, shumica e të cilave kanë destinim komercial dhe rezidencial, duke përfshirë: Toka për ndërtim komercial në Matiçan, Preoc dhe Llapllasellë; Parcela bujqësore të kualitetit të lartë të klasifikuara për ndërtim të objekteve afariste si dhe toka rezidenciale në Podujevë dhe Livagjë. Shumica e këtyre tokave kanë destinim komercial apo rezidencial, duke ofruar hapësira të përshtatshme për ndërtimin e objekteve afariste, banesave individuale apo komplekseve moderne të banimit.

Në Mitrovicë, është e listuar depoja e vjetër e NSH Transkosova, një hapësirë komerciale me potencial të madh për transformim në qendër logjistike, tregtare apo qendër biznesi, si dhe parcela toke. Në rajonin e Gjilanit dhe Prizrenit gjithashtu ofrohen mbi 25 asete atraktive, parcela toke me potencial komercial dhe rezidencial.

Gjithashtu, në Gjakovë dhe Istog ofrohen mundësi atraktive për tokë ndërtimore dhe bujqësore të nivelit të lartë. Në Gjakovë, për shembull, janë në shitje disa parcela në Korenicë, Shishmon i Bokës dhe Kralan, të përshtatshme si për ndërtime banimi ashtu edhe për zhvillim bujqësor.

Në komunat me potencial rural si Rahoveci, Malisheva, Vitia dhe Parteshi ofrohen parcela –tokë bujqësore – livadhe, ara dhe kullota. Në Rahovec dhe Malishevë, ka sipërfaqe të konsiderueshme të vreshtave dhe tokave të punueshme. Në Ferizaj dhe Partesh, ofrohen prona që kombinojnë potencialin bujqësor me përdorimin rezidencial.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.72 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 28.05.2025, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilën njësi. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.

Për më shumë informata, palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë, apo në tel: +383 (0) 38 500 400, ext. 1090 apo ext.2059.

www.pak-ks.org