AKP publikoi Raportin me listën e privatizimeve të ndërmarrjeve shoqërore

Agjencia Kosovare e Privatizimit publikoi në faqen e saj të internetit (kapitulli Raportet) Raportin e azhurnuar me listën e privatizimeve të ndërmarrjeve shoqërore dhe të shitjeve të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore të realizuara deri më 31 janar 2019.

Lajme

01/03/2019 14:59

Sipas Raportit, janë gjithsej 1662 kontratat të privatizimit të nënshkruara deri më tani, ndërkaq janë realizuar 707 milionë e 857 mijë e 232 €uro. Më së shumti asete të shitura ka pasur në rajonin e Prishtinës, gjithsej 427, pastaj vjen rajoni i Pejës me 385 shitje të realizuara, Gjilani me 309 shitje, në rajonin e Prizrenit janë realizuar 296 privatizime dhe në rajonin e Mitrovicës 245 asete.

AKP dëshiron që përmes këtij njoftimi të ri-theksoj përkushtimin për ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies para opinionit publik për gjithë procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore që është i një rëndësie të veçantë për administrimin e mirë të aseteve në pronësi shoqërore dhe rritjen e vlerës së tyre.

Listat e publikuara do të azhurnohen periodikisht, ndërkaq ftohen palët e interesit që në rast të vërejtjeve në saktësinë e shënimeve të publikuara, të dërgojnë me shkrim vërejtjet e tyre në zyret rajonale të Agjencisë. /Lajmi.net/