AKP-ja ka shqiptuar 32 milionë euro gjobë për mospërmbushje të kontratave

Pesë ndërmarrjet e privatizuar me spin-off special nuk kanë paguar gjobat e shqiptuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Nëse mblidhen në total shuma e këtyre gjobave, del se këto pesë kompani i kanë borxh AKP-së gjithsej 32 milionë e 700 mijë euro.

Lajme

05/06/2014 09:22

Hotel “Grand”; Minera”XIM Strezovco; Miniera e Goleshit “MIM Golesh”; Fabrika e Duhanit në Gjilan “IDJ Tobacco”; dhe ndërmarrja “Agrokosova Holding”, janë gjobitur nga AKP-ja për shkak të mospërmbushjes së zotimeve për investime në punësim.

Këto kompani kanë injoruar afatet ligjore që i janë caktuar nga AKP-ja për t’i kryer obligimet e tyre.

Zyrtari për informim në AKP, Ylli Kaloshi thotë për “Zëri” se 26 kompani janë privatizuar me spin-off special nga paraardhësja e tyre AKM-ja.

“Nga 26 ndërmarrje, 2 janë liruar në kohën e ish-AKM-së si rrjedhojë e përmbushjes së zotimeve, ndërsa nga AKP-ja janë liruar 17 ndërmarrje si rezultat i përmbushjes së kushteve të kontratës”.

Ai ka bërë të ditur se AKP-ja ka bërë tërheqjen e aksioneve për 3 ndërmarrje, si pasojë e mospërmbushjes së kushteve kontraktuese, ndërkohë që nën monitorim të mëtutjeshëm janë edhe 4 ndërmarrje tjera.