AKP-ja ende pa bord, e mbyllur!
Kryeministri Isa Mustafa kishte deklaruar se gjatë muajit prill do të kompletohet Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por, pavarësisht këtyre deklaratave, Bordi i AKP-së ende nuk është kompletuar.

Lajme
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka thënë për Zëri se Qeveria akoma nuk i ka dërguar propozimet për anëtarët e Bordit.
“Qeveria e Kosovës ende nuk i ka dërguar propozimet për anëtarë të Bordit. Ne jemi në kontakt me Qeverinë dhe ata na kanë njoftuar se në një afat të shkurtër do të dërgojnë emrat në Kuvend, por që nuk e kemi ndonjë datë të caktuar”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së, ka thënë se në mungesë të Bordit, shumë çështje nuk mund të procedohen.
“Bordi vendos për shpalljet e reja të valëve të shitjes, për shpërndarjen e mjeteve nga pjesa e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, për shpërndarjen e mjeteve nga procesi i likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, pastaj për bartjen e mjeteve tepricë në buxhetin e Kosovës, e shumë vendime tjera të përcaktuara me ligj që janë në kompetencë të Bordit”, ka thënë ai.
Deri më tani nga shitja, privatizimi dhe likuidimi, të hyrat e realizuara janë mbi 666 milionë euro.