AKP fton për ofertim me 25 qershor, 98 prona në shitje në gjithë Kosovën
Agjencia Kosovare e Privatizimit fton të gjithë investitorët e interesuar që të marrin pjesë me ofertat e tyre në Shitjen e Aseteve përmes Likuidimit nr.73, e cila do të mbahet me datë 25 qershor 2025. Kjo valë e shitjeve synon të nxisë zhvillimin ekonomik përmes krijimit të mundësive konkrete për investime në bujqësi, banim, tregti…

Lajme
Agjencia Kosovare e Privatizimit fton të gjithë investitorët e interesuar që të marrin pjesë me ofertat e tyre në Shitjen e Aseteve përmes Likuidimit nr.73, e cila do të mbahet me datë 25 qershor 2025.
Kjo valë e shitjeve synon të nxisë zhvillimin ekonomik përmes krijimit të mundësive konkrete për investime në bujqësi, banim, tregti dhe shërbime. Janë gjithsej 98 ssete të ndara sipas kategorive dhe potencialit zhvillimor, prej të cilave 40 njësi bujqësore, shumë prej tyre me tokë të cilësisë së lartë për bujqësi intensive dhe pemëtari; 49 njësi rezidenciale, ideale për zhvillim të banimit urban e rural; 7 asete me funksione të ndryshme komerciale, të përshtatshme për investime afariste; 1 depo, me potencial për shfrytëzim logjistik apo magazinues dhe 1 lokal afarist në Prishtinë, që përfaqëson një mundësi të rrallë në zemër të kryeqytetit.
Asetet janë të shpërndara në 6 rajonet e Kosovës: Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj, me sipërfaqe që variojnë nga njësi të vogla për investitorë individualë, deri në prona të mëdha që mund të transformohen në qendra zhvillimi rural, agrobiznesi apo projekte banimi.
Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.73 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 25.06.2025, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilën njësi. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.
AKP fton të gjithë të interesuarit, individë, biznese, diasporë dhe investitorë të huaj, që të aplikojnë përmes një procesi transparent dhe të mbikëqyrur dhe të mos e humbin këtë mundësi për të investuar në prona me vlerë dhe me potencial të madh zhvillimor.
Për më shumë informata, palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë, apo përmes email adresës [email protected].