Kosova dhe Serbia me versione të ndryshme për dështimin e mbledhjes së CEFTA-s

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, janë larguar nga takimi i “Javës së CEFTA”-s, menjëherë kur është prezantuar delegacioni nga Serbia.

Lajme

06/12/2018 17:51

Mediat e Serbisë, shkruajnë se përfaqësuesit e Kosovës dhe të Shqipërisë janë larguar nga “Java e CEFTA”-s që është duke u mbajtur në Prishtinë, transmeton lajmi.net.

Duke iu referuar një njoftimi të qeverisë së Serbisë, mediat serbe shkruajnë se menjëherë kur është prezantuar delegacioni i Serbisë, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Shqipërisë janë larguar nga ky takim.

Sipas medieve serbe, përfaqësuesit e Serbisë pavarësisht vendosjes së taksës prej 100 për qind për mallrat e serbe, ata tentuan që të përçojnë një mesazh tolerance, transmeton më tutje lajmi.net.

Sipas njoftimit të qeverisë serbe, në fillim të takimit, përfaqësuesi i Serbisë kanë përsëritur qëndrimin e tyre që Kosova të heq taksën e vendosur prej 100 pqr qind, duke e cilësuar si një masë radikale dhe të paligjshme ndaj Serbisë.

Sipas qeverisë serbe, kjo masë doganore është diskriminuese dhe është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Në anën tjetër, vetë ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala, ka thënë për televizionin “T7”, se arsyeja përse është ndërprerë mbledhja ka qenë për shkak se përfaqësuesit e Serbisë shtetit të Kosovës i janë referuar si “Kosovë dhe Metohi”, shkruan lajmi.net.

“Këto delegacione nuk kanë pranuar të marrin pjesë deri mbrëmë kur kanë treguar se janë të interesuar të vijnë. Atyre u kemi ofrua të gjitha lehtësirat që të marrin pjesë në takimet e CEFTA-s. Kryesuesi i CEFTA-s dhe zyrtarët e MTI-së i kanë pasur instrukcionet që askush që merr pjesë në këto takime nuk guxon t’i referohet Kosovës në terma jo shtetëror.

Përfaqësuesi i Serbisë i është referuar Kosovës si Kosovë e Metohi, dhe mbledhja nuk ka vazhduar”, ka deklaruar Shala.

Tutje ai ka thënë se askush nuk do t’i referohet ndryshe Kosovës përveçse Republikë derisa ai të jetë në krye të MTI-së.

“Sa të jem në krye të MTI-së nuk do të lejojë askush t’i referohet Kosovës ndryshe”, deklaroi Shala. /Lajmi.net/