AKK me standarde të dyfishta, në një rast të njëjtë me Baletin nuk e cilësoi “konflikt interesi”

Një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit ka bërë që Sinan Kajtazi të mos qëndrojë më shumë se 12 ditë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

ShowBiz

03/07/2019 10:57

Të martën, Kajtazi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës së drejtorit të BKK-së pasi, siç ka thënë ai, opinioni i Agjencisë Kundër korrupsionit ka vlerësuar se pozita e tij do të përbënte “konflikt interesi”.

Kajtazi deri në janar të këtij viti ishte kryetar i Këshillit Drejtues të BKK-së. Kjo del të jetë arsyeja që ai për dy vjet pas largimit nga kjo pozitë të mos mundë të ushtrojë detyrën e drejtorit të institucionit. Por një rast i ngjashëm ishte ai i vitit 2014, kur drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ishte zgjedhur Arben Zharku pas dorëheqjes nga pozita e kryesuesit të Këshillit Drejtues të këtij institucioni. Asokohe AKK-ja kishte thënë se bëhet fjalë për çështje etike e jo për konflikt interesi.

“Me keqardhje ju njoftoj që pas kërkesës sime për opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit, në lidhje me pozitën e drejtorit të BKK-së, nga kjo Agjenci më është kumtuar se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit/neni 18, pozita ime si drejtor i BKK-së do të përbënte ‘konflikt interesi’, meqë deri në janar të 2019-s kam qenë kryetar i KD të BKK-së, dhe në periudhë prej 2 vjetësh pas largimit nga Këshilli Drejtues nuk kam të drejtë të marr këtë post. Prandaj, ju njoftoj që sot kam dhënë dorëheqjen nga u.d. i drejtorit të BKK-së dhe rrjedhimisht më duhet të refuzoj emërimin si drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK-së”, ka shkruar Kajtazi në profilin e tij në Facebook.

Më poshtë e gjeni opinionin e Agjencisë kundër Korrupsioni e cila në rastin e Arben Zharkut kishte konstatuar thënë se bëhet fjalë për çështje etike e jo për konflikt interesi.