AKK: MAPL po shkel Ligjin për Ndarjet Buxhetore dhe po u heq komunave 2 milionë euro të miratuara nga Kuvendi
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, është shprehur i shqetësuar dhe ka kundërshtuar fuqishëm veprimet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Qeverisë së Kosovës, për të reduktuar fondet e Grantit të Performancës Komunale nga 4 milionë në 2 milionë euro. AKK ka thënë se Kuvendi i Kosovës, me Ligjin për Ndarjet Buxhetore për…
Lajme
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, është shprehur i shqetësuar dhe ka kundërshtuar fuqishëm veprimet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Qeverisë së Kosovës, për të reduktuar fondet e Grantit të Performancës Komunale nga 4 milionë në 2 milionë euro.
AKK ka thënë se Kuvendi i Kosovës, me Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, ka miratuar qartë shumën prej 4,000,000 euro për Programin e Grantit të Performancës Komunale.
Ata kanë thënë se pa rishkim të buxhetit të Republikës së Kosovës nga ana e Parlamentit, ky ndryshim ligjor nuk mund të bëhet dhe se ky veprim është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit dhe cenon rëndë sigurinë juridike dhe financiare të komunave.
“Bordi i AKK-së vlerëson se:
Kuvendi është institucioni i vetëm që miraton ndarjet buxhetore me ligj, ndërsa asnjë ministri nuk ka mandat të ndryshojë apo të përgjysmojë fondet e miratuara nga Kuvendi.
Mjetet prej 4 milionë euro janë miratuar me ligj dhe janë të dedikuara ekskluzivisht për Grantin e Performancës Komunale.
Vetë Ligji për Ndarjet Buxhetore e identifikon këtë program si projekt të veçantë kapital në kuadër të MAPL-së.
Komunat, sipas legjislacionit për financat lokale, duhet të kenë siguri dhe parashikueshmëri buxhetore për të planifikuar investimet dhe projektet e tyre. Ndryshimi i rregullave gjatë vitit cenon drejtpërdrejt këtë parim.
Ky precedent krijon pasiguri për të gjitha komunat dhe rrezikon besueshmërinë e sistemit të financimit lokal”, thuhet në reagim.
Bordi i AKK-së ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të shumës së plotë prej 4 milionë euro, ashtu siç është miratuar me Ligjin për Ndarjet Buxhetore, ndalimin e çdo veprimi administrativ që bie ndesh me ligjin dhe cenon autonominë financiare të komunave, respektimin e plotë të vendimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të parimeve të shtetit ligjor.
“AKK rezervon të drejtën që, në bashkëpunim me komunat, të ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale dhe juridike për mbrojtjen e interesit të komunave dhe zbatimin e ligjit. Ligji duhet të respektohet nga të gjithë, e veçanërisht nga institucionet që kanë për obligim ta zbatojnë”, thuhet në reagim. /Lajmi.net/