AKB: Propozimet për heqjen e TVSH-së dhe akcizës, të papërgjegjshme dhe pa bazë ligjore

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të disa individëve dhe politikanëve që kanë kërkuar publikisht heqjen e TVSH-së dhe akcizës për derivatet, duke i cilësuar këto thirrje si të rrezikshme dhe joserioze. Në një reagim në Facebook, AKB thekson se këto kërkesa reflektojnë mungesë të theksuar të njohurive bazë për funksionimin…

Lajme

26/03/2026 15:40

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të disa individëve dhe politikanëve që kanë kërkuar publikisht heqjen e TVSH-së dhe akcizës për derivatet, duke i cilësuar këto thirrje si të rrezikshme dhe joserioze.

Në një reagim në Facebook, AKB thekson se këto kërkesa reflektojnë mungesë të theksuar të njohurive bazë për funksionimin e shtetit dhe sistemit fiskal. Sipas tyre, ndryshime të tilla nuk mund të bëhen përmes deklaratave publike apo presionit mediatik, por vetëm përmes procedurave ligjore dhe vendimmarrjes në Kuvendi i Kosovës.

“Është e papranueshme që opinioni publik të ngarkohet me deklarata të tilla, kur dihet qartë se TVSH-ja dhe akciza janë të rregulluara me ligj dhe çdo ndryshim i tyre mund të bëhet vetëm përmes procedurave ligjore dhe miratimit në Kuvendi i Kosovës, e jo me thirrje spontane apo deklarata populiste. Këto qëndrime, përveçse krijojnë konfuzion te bizneset dhe qytetarët, japin edhe një mesazh të gabuar për seriozitetin e përfaqësimit të interesave ekonomike në vend”, thuhet në reagim.

AKB nënvizon se zhvillimi ekonomik nuk mund të bazohet në deklarata emocionale apo të pamenduara mirë, por kërkon politika të qëndrueshme dhe të analizuara. Sipas tyre, bizneset kanë nevojë për përfaqësim serioz dhe profesional, ndërsa politikat fiskale kërkojnë kompetencë dhe përgjegjësi, jo improvizime për efekt publik.

Organizata gjithashtu shpreh shqetësim për individët që, pa njohuri të mjaftueshme, prezantohen si përfaqësues të bizneseve, duke dëmtuar besueshmërinë e këtij sektori.

Në fund, AKB u bën thirrje të gjithë akterëve publikë që të tregojnë maturi dhe profesionalizëm, duke theksuar se pa institucione funksionale, përfshirë Kuvendin dhe qeverinë, kërkesa të tilla mund të tingëllojnë tërheqëse, por mbeten të parealizueshme.