AKB: Kosova rritet në përqindje, por mbetet prapa në fuqinë ekonomike të Ballkanit Perëndimor
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), bazuar në të dhënat dhe projeksionet e institucioneve ndërkombëtare për vitin 2026, ka publikuar një analizë krahasuese të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar dallimet në madhësinë e ekonomive, GDP-në për kokë banori dhe ritmet e rritjes ekonomike. Sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ekonomia e Kosovës për vitin…
Lajme
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), bazuar në të dhënat dhe projeksionet e institucioneve ndërkombëtare për vitin 2026, ka publikuar një analizë krahasuese të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar dallimet në madhësinë e ekonomive, GDP-në për kokë banori dhe ritmet e rritjes ekonomike.
Sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ekonomia e Kosovës për vitin 2026 vlerësohet në rreth 14.15 miliardë dollarë. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Serbia prin me 111.2 miliardë dollarë, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 37.26 miliardë, Shqipëria me 32.77 miliardë, Maqedonia e Veriut me 21.24 miliardë dhe Mali i Zi me 10.12 miliardë dollarë.
AKB thekson se Kosova mbetet në nivelin më të ulët në mesin e gjashtë ekonomive të rajonit edhe sa i përket GDP-së nominale për kokë banori, me rreth 8,900 dollarë.
Megjithatë, sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosova pritet të shënojë rritje reale ekonomike prej 3.6 për qind gjatë vitit 2026.
Sipas AKB-së, rritja ekonomike në përqindje nuk duhet ngatërruar me fuqinë reale të ekonomisë, madhësinë e prodhimit, produktivitetin dhe nivelin e mirëqenies së qytetarëve.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, vlerëson se sfida kryesore e Kosovës nuk është vetëm rritja e GDP-së, por shndërrimi i saj në zhvillim të qëndrueshëm, prodhim vendor dhe konkurrueshmëri ekonomike.
Në këtë drejtim, AKB kërkon nga institucionet e Kosovës që politikat ekonomike të orientohen drejt rritjes së prodhimit vendor, fuqizimit të industrisë përpunuese, zgjerimit të eksporteve, zvogëlimit të deficitit tregtar dhe nxitjes së investimeve vendore e të huaja.
Po ashtu, organizata e bizneseve thekson rëndësinë e sigurimit të energjisë së qëndrueshme me çmime konkurruese, rritjes së produktivitetit, aftësimit profesional të fuqisë punëtore, digjitalizimit të ndërmarrjeve dhe lehtësimit të tregtisë rajonale.
AKB i referohet edhe vlerësimit të Bankës Botërore, sipas të cilit eliminimi i gjysmës së barrierave të mbetura tregtare në rajon mund të rrisë GDP-në deri në 12.5 për qind në periudhën afatmesme.
Në reagimin e saj, AKB kërkon gjithashtu një partneritet ndërmjet Qeverisë, institucioneve dhe sektorit privat për hartimin e një programi zhvillimor deri në vitin 2030, me objektiva të matshme dhe mbështetje konkrete për bizneset.
“Mesazhi i AKB-së është i qartë: Kosovës i duhet më shumë prodhim, më shumë eksporte, më shumë investime dhe më shumë produktivitet. Nuk mjafton të shënojmë rritje ekonomike në statistika, nëse kjo rritje nuk reflektohet në fuqizimin e ndërmarrjeve, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në reagim.
Në fund, Shahini thekson se Kosova duhet të kalojë nga një ekonomi e bazuar në konsum dhe import drejt një ekonomie të mbështetur në prodhim, eksport dhe konkurrueshmëri. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: