AKB akuzon Kuvendin për ekspozitën: Historia nuk rishkruhet, kërkojmë hetim

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke e cilësuar atë si një përpjekje të papranueshme për të shtrembëruar të vërtetën historike dhe për të fyer viktimat e luftës. AKB thekson se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes sponsorizimeve apo ekspozitave publike, duke shtuar se çdo përpjekje…

Lajme

28/03/2026 13:18

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke e cilësuar atë si një përpjekje të papranueshme për të shtrembëruar të vërtetën historike dhe për të fyer viktimat e luftës.

AKB thekson se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes sponsorizimeve apo ekspozitave publike, duke shtuar se çdo përpjekje për relativizim apo zbutje të krimeve të luftës është e papranueshme dhe fyese për familjet e viktimave, raporton lajmi.net

Sipas AKB-së, përfshirja e Kuvendit të Republikës së Kosovës në financimin e kësaj ekspozite mund të përbëjë keqpërdorim të taksave të qytetarëve, nëse përmbajtja e saj devijon nga e vërteta historike dhe relativizon krimet e dokumentuara.

Postimi i plotë:

Sponsorët e turpit: Historia nuk rishkruhet
Historia e Kosovës nuk rishkruhet me sponsorizime dhe as me Ekspozita publike.
Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e organizuar nga ADMOVERE dhe Integra, prek një nga plagët më të rënda të vendit tonë. Çdo përpjekje për të relativizuar, zbutur apo selektuar të vërtetën e këtyre krimeve është e papranueshme dhe fyese për viktimat dhe familjet e tyre.
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) vlerëson se përfshirja e Kuvendi i Republikës së Kosovës në financimin e kësaj ekspozite mund të përbëjë keqpërdorim të taksave të qytetarëve të Kosovës, nëse përmbajtja e saj devijon nga e vërteta historike dhe relativizon krimet e dokumentuara të luftës.
Po ashtu, kompanitë sponsorizuese që kanë mbështetur këtë aktivitet – EXFIS, Libraria Dukagjini, JYSK, KFC, si dhe organizatat Cultural Heritage without Borders dhe Besa-Besë – duhet të reflektojnë seriozisht për rolin e tyre dhe të kërkojnë falje publikut kosovar nëse kjo iniciativë perceptohet si devijim nga e vërteta historike.
Mbështetja e iniciativave që relativizojnë ose deformojnë të vërtetën historike i vendos këto subjekte përballë përgjegjësisë morale dhe publike. Ato duhet të ndjejnë përgjegjësi para qytetarëve të Kosovës, para familjeve të viktimave dhe para historisë.
Masakrat e viteve 1998–1999 nuk janë çështje interpretimi – ato janë krime të dokumentuara dhe të dëshmuara me gjak dhe sakrificë.
Në këtë kontekst, AKB kërkon që Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës të shqyrtojë këtë rast dhe të vlerësojë nëse ka elemente të keqpërdorimit të mjeteve publike dhe nëse përmes këtyre aktiviteteve po tentohet të deformohet e vërteta historike e Kosovës.
AKB kërkon përgjegjësi të plotë kush e financoi këtë ekspozitë, cili ishte qëllimi i saj dhe pse po tentohet të ndryshohet narrativa për krimet e luftës në Kosovë.
Në të kundërtën, reagimi qytetar, i komunitetit të biznesit dhe i konsumatorëve do të jetë i pashmangshëm, deri në bojkotimin e produkteve dhe shërbimeve të kompanive sponsorizuese.
E vërteta nuk negociohet.
Historia nuk tjetërsohet,mos harroni sponzorues./Lajmi.net/