Akademia suedeze e IT-së zbarkon në Prishtinë

Kompania Kutia, për 7 vjetorin e themelimit të saj, po sjell në Kosovë akademinë e njohur suedeze, Beetroot Academy.

Lajme

26/02/2020 17:27

Pas sukseseve të vazhdueshme në ofrimin e shërbimeve të zhvillimit softuerik si dhe bashkëpunimit me kompani të ndryshme jashtë vendit, Kutia ka vendosur që kërkesës së vazhdueshme për zhvillues të rinj në treg, t’i kontribuojë me ofrimin e ekspertizës së jashtme për të zhvilluar dhe rritur ekspertizën e brendshme në fushën e teknologjisë informative.

Beetroot Academy, është akademi lidere e fushës së IT-së që e ka zhvilluar industrinë e outsourcing në Suedi dhe Ukrainë, duke vendosur kështu standarde të reja të industrisë dhe duke aftësuar dhe krijuar profesionistë në fushën e IT-së.

Themeluesit e shkollës, suedezët Andreas Flodström dhe Gustav Henman, filluan kompaninë Beetroot në vitin 2012. Në vitin 2018, përmes ekspertizës suedeze, Beetroot ishte një prej kompanive me rritjen më të madhe në fushën e teknologjisë informative në Ukrainë.

Mbi 2,500 studentë që i kanë përfunduar këto kurse, 70% prej tyre tanimë janë të punësuar duke ndikuar kështu në rritjen e ekosistemit të IT-së, duke zhvilluar ekonominë e vendit dhe duke aftësuar ekspertizën lokale.

Akademia Beetroot vjen në Prishtinë me mision të caktuar; rritjen e industrisë profesionale të teknologjisë informative; rritjen e aftësive konkurruese; rritjen e mundësisë së punësimit në këtë fushë, si në kompani lokale, ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Ajo që e bën më të veçantë Beetroot Academy-dega në Kosovë, është fakti se kurrikula e programeve mësimore, mënyra e mësimit dhe platforma mësimore është plotësisht e trashëguar nga Beetroot Academy që tanimë ka dëshmuar sukses të madh në Suedi dhe në Ukrainë.

Akademia Beetroot zhvillon aktivitetin e saj përmes kurseve profesionale të dizajnuara nga ekspertë të fushës, duke krijuar kështu kurrikula praktike dhe të përditësuara sipas trendeve më të reja të fushës së teknologjisë informative. Ligjeruesit profesionalë janë të trajnuar ashtu që të krijojnë shkathtësi të reja te studentët, bazuar në kërkesat reale të tregut, si atij lokal, ashtu edhe atij ndërkombëtar. Kjo është një ndër arsyet pse 100+ orët në këto trajnime janë jashtëzakonisht praktike. Së bashku me mentorë dhe trajnues me përvojë, studentët e regjistruar do të kenë mundësi që të punojnë në projekte të vërteta, përmes mundësive konkrete. Përveç anës praktike, shkolla ofron edhe studimin e teorisë në mënyrë të pavarur, përmes sistemit për mësim online (LMS).

Për sjelljen e kësaj shkolle në Prishtinë, janë bërë përgatitjet e duhura që kanë filluar kohë më parë. Kjo nënkupton hulumtimin e hollësishëm të kurrikulës dhe programeve mësimore, trajnimin dhe përgatitjen e stafit të kualifikuar për trajnim si dhe krijimin e ambientit komod dhe të përshtatshëm për të zhvilluar mësimin. Për më tepër, mjedisi i krijuar synon të frymëzojë ambicie dhe talent.

Grupet e ndryshme do të punojnë si ekipe, duke sfiduar njëri-tjetrin gjatë rrugës. Kështu, ata që tregojnë potencialin më të madh dhe dëshmojnë aftësitë e veta, do të përzgjidhen si profesionisë të IT-së, duke dëshmuar aftësitë konkurruese përballë punëdhënësve potencialë.

Për të gjithë ata që dëshirojnë të zhvillohen dhe të mësojnë më shumë rreth kësaj mundësie, hapja zyrtare e Beetroot Academy – Kosovë, do të bëhet me 16.03.2020, nga ora 10:00 deri në orën 20:30 në adresën: Rr. “Anton Çetta”, nr. 5-1, Prishtinë.

Klikoni KËTU për të mësuar më shumë rreth kurseve dhe trajnerëve ose vizitoni faqen tonë në Facebook.