AIP thirrje partive politike: Mbroni të dhënat personale të qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 7 qershorit

Pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve nacionale në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka përsëritur thirrjen për partitë dhe subjektet politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë zgjedhjeve që do të mbahen më 7 qershor. “Me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të  integritetin zgjedhor, Agjencia kërkon nga  Partitë dhe Subjektet Politike…

Lajme

02/06/2026 17:50

Pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve nacionale në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka përsëritur thirrjen për partitë dhe subjektet politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë zgjedhjeve që do të mbahen më 7 qershor.

“Me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të  integritetin zgjedhor, Agjencia kërkon nga  Partitë dhe Subjektet Politike respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, që të-

🔸sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;
🔸mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik;
🔸mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit përmes postës elektronike (e-mail), mesazheve (SMS) apo thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak;
🔸respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit;
🔸shmangin çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse përkatëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit mbi të dhënat personale kur është e nevojshme;
🔸sigurojnë transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika te qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme”, ka njoftuar AIP.

Agjencia kërkon nga partitë dhe subjektet të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës në përputhje me kërkesat ligjore. /Lajmi.net/