AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore
Në përmbushje të detyrimeve ligjore, për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më datës 12 tetor 2025. Sipas…

Lajme
Në përmbushje të detyrimeve ligjore, për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më datës 12 tetor 2025.
Sipas AIP për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve nga Partitë Politike dhe subjektet e përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon zbatimin e detyrimeve ligjore dhe të ndërmarrjen e veprimeve si në vijim: Të sigurojnë çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj, Të mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik dhe të mos ekspozohen të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail, mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak).
Po ashtu AIP, kërkon të respektohen të drejtat e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit, të shmangin çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të dhënave të ndjeshme përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse përkatëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit mbi të dhënat personale kur është e nevojshme, si dhe të sigurojnë transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika te qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme.
“Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në harmoni me detyrimet ligjore, Agjencia ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje Partive Politike që gjatë realizmit të aktiviteteve të fushatës zgjedhore, informatat e qytetarëve ruhen në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet në njoftim.
Fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet e 12 tetorit ka nisë më 13 shtator.