“Ai po premton shumë gjëra”, “Do të bëjë gjithçka që i teket” – Serwer flet për angazhimin e mundshëm të Trump në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump së fundmi, në një nga postim e tij, e përmendi dialogun Kosovë-Serbi. “Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova atë (Biden e ka dëmtuar…

Lajme

17/06/2025 18:04

Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump së fundmi, në një nga postim e tij, e përmendi dialogun Kosovë-Serbi.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova atë (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish!)”, shkroi ndër të tjera në një postimet e tij në “Truth Social”, transmeton lajmi.net

Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar profesorin e njohur dhe njohësin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer.

Fillimisht, Serwer u përgjigj në pyetjen se sa seriozë dhe sa kredibil mund të jetë angazhimi i Trump në dialog. Ai tha se arritjet në ndërtimin e paqes nga Trump janë zero.

“Qëllimet e tij mund të jenë serioze, por arritjet e tij deri tani në ndërtimin e paqes janë zero (Gaza, Ukraina, Irani, Tajvani). Ai po krekoset dhe po premton shumë gjëra që asnjëherë nuk i ka bërë dhe as që do t’i bëjë ndonjëherë.”, u shpreh fillimisht Serwer.

Tutje, ai tha se asnjë nga marrëveshjet që Trump kishte negociuar në dialogun Kosovë-Serbi gjatë mandatit të parë, nuk kishin ndonjë rëndësi të madhe.

“Gjatë mandatit të tij të parë, ai u mor me idenë e ndarjes së Kosovës. Kjo mund të ndodhë sërish. Unë do ta konsideroja këtë si diçka negative. Asgjë nga marrëveshja që ai negocioi nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe.”, shtoi profesori i njohur.

Sipas Serwer, Kosova nuk duket të jetë e gatshme të angazhohet në dialog, me ritmin e Trump.

“Ai do të bëjë gjithçka që i teket. Pyetja është nëse Kosova do të jetë në gjendje të angazhohet. Mendoj që jo.”, tha ai.

Në fund, në pyetjen se nëse do rikthehet ideja e shkëmbimit të territoreve në tavolinë, Serwer u përgjigj, se ideja e presidentit amerikan ishte ndarje dhe jo shkëmbim.

“Po, por ideja e tij, dhe e Vuçiqit, nuk ishte shkëmbim. Ishte ndarje.”, përfundoi ai.

Dialogu Kosovë-Serbi ka stagnuar momentalisht. Takimi i fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq ishte para sulmit terrorist në Banjskë, që ndodhi me 24 shtator 2023.

Së fundmi ndodhi një takim mes kryenegociatorve, atij të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq dhe emisarit të BE-së, Peter Soresen. Por, që nuk prodhoi asgjë./lajmi.net/