AI: Kina po kryen krime kundër njerëzimit në Ksinjiang

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International tha se Kina është duke kryer “krime kundër njerëzimit” në Ksinjinag - rajonin ku jetojnë ujgurët dhe pakicat tjera myslimane.

Bota

11/06/2021 08:27

Në raportin e ri të publikuar, Amnesty kërkoi hetime nga Kombet e Bashkuara.

Grupi tha se ujgurët, kazakët dhe myslimanët tjerë në Kinë janë subjekt i arrestimeve masive, mbikëqyrjes dhe torturës.

“Kjo duhet të tronditë ndërgjegjen e njerëzimit, pasi një numër masiv i njerëzve i është nënshtruar shpëlarjes së trurit, torturës dhe trajtimeve të tjera degraduese në kampet e internimit, ndërsa miliona të tjerë jetojnë me frikë nga mbikëqyrja”, tha sekretarja e përgjithshme e organizatës Amnesty International, Agnes Callamard.

Ajo akuzoi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për “dështim për të vepruar sipas mandatit të tij”.

Guterres “nuk e ka denoncuar situatën; ai nuk ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar”, tha Callamard.

Në raportin prej 160 faqesh, të bazuar në intervistat me 55 ish-të arrestuar, Amnesty tha se ka prova që shteti kinez ka kryer disa krime kundër njerëzimit: burgim ose privim tjetër të rëndë të lirisë fizike – duke shkelur rregullat themelore të ligjit ndërkombëtar – torturë dhe persekutim.

Raporti pason disa gjetje të ngjashme nga organizata tjetër për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, e cila ka thënë në një raport në muajin prill se beson se Qeveria kineze është përgjegjëse për krime kundër njerëzimit.

Kina besohet se ka ndaluar më shumë se një milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë në rajonin Ksinjiang.

Shumica e tyre dërgohen në të ashtuquajturat kampe “riedukimi”, ku mbahen për kohë të pacaktuar dhe pa ndonjë akuzë.

Kina fillimisht e ka mohuar ekzistencën e kampeve, ndërsa ma vonë ka thënë se ato janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin.

Kina i ka hedhur poshtë akuzat për abuzime me të drejta të njeriut.