Ahmeti thotë se vendosja e flamurit te ‘rrethi’ është detyrë e kryeministrit

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se vendosja e flamurit të Kosovës te ‘rrethi’ nuk është detyrë e Komunës.

Lajme

11/02/2018 23:33

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka thënë se në këtë rast vendosja e flamurit është detyrë e kryeministrit, përcjell lajmi.net.

“Në rastet e festave zyrtare dhe memoriale flamuri ngritët edhe në vende të tjera me autorizimin e Kryeministrit, për evenimente shtetërorë ose të kryetarit të Komunës, për evenimente lokale”, ka theksuar Ahmeti.

Postimi i plotë:

Po e shoh një debat të gjatë në lidhje me flamurin shtetëror të Kosovës i cili me apo me pa qëllim po drejtohet te Komuna me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

E para, une jam kryetar i Prishtinës, kryeqytet i Republikës së Kosovës, me kushtetutë e ligje në fuqi, të cilat i zbatojmë dhe i respektojmë.

E dyta, vendosja e simboleve shtetërore rregullohet me Ligjin 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës dhe Ligjin 03/L-032 për protokollin e shtetit.

Aty është shumë e qartë.

Neni 3 pika 4.

“Protokolli i Shtetit kryen këto funksione:

1.4. përgjigjet për organizimin e ceremonive për festat zyrtare, memorialë, shtetërorë dhe lokale,

në rastet kur ato janë jubilare dhe kur për organizimin e të cilave formohet me vendim të Qeverisë të Republikës së Kosovës një komision shtetëror”.

Neni 15 paragrafi 2

“Në mjediset e jashtme flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës qëndron i ngritur mbi ose pranë selive të institucioneve qendrore dhe lokale qeveritare, në pikat kufitare si dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njëzetekatër (24) orë dhe i ndriçuar drejtpërdrejtë gjatë natës. Në rastet e festave zyrtare dhe memoriale flamuri ngritët edhe në vende të tjera me autorizimin e Kryeministrit, për evenimente shtetërorë ose të kryetarit të Komunës, për evenimente lokale”.

Besoj se dihet që 10 vjetori është eveniment shtetëror./Lajmi.net/