Ahmeti i quan propagandë fjalët se Komuna nuk jep leje ndërtimi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se nuk di të ketë ndonjë rast ku sipas ligjeve në fuqi i ka të gjitha dokumentet për të marrë lejen e ndërtimit, dhe nuk ka marrë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se gjeneralizimi se Komuna s’po jep leje është pak propagandë.

Lajme

13/05/2014 19:04

Ahmeti ka thënë se përjashtim për mosmarrje të lejeve bëjnë kompanitë që kanë borxhe. Kjo sipas një vendimi të kaluar të Isa Mustafës, i cili është ende në fuqi.

Në lidhje me ankesat nga punëtorët dhe shoqatat ndërtuese, Ahmeti ka thënë për lajmi.net se së shpejti do të ketë takim me njërën nga këto dy shoqata.

Në këtë kontekst, kryetari i Prishtinës ka thënë se është i gatshëm t’i diskutojë këto çështje hollësisht, por nëse i kërkohet atij që të lëshojë leje ndërtimi duke e shkelur ligjin, thotë se s’ka ndërmend ta bëjë.

“Ky farë gjeneralizimi që s’po jepen lejet mendoj se është shumë problematik, sepse nuk ka, ose unë nuk di asnjë rast ku sipas ligjeve në fuqi dikujt që i ka të gjitha dokumentet i është mohuar marrja e lejes”.

“Ka kompani që ka borxhe, dhe, me një vendim të kaluar të Isa Mustafës, i cili është ende në fuqi, nuk lejohet dhënia e lejeve për një kompani që ka borxhe”, ka thënë Ahmeti.

“Ka dy shoqata që po ankohen dhe me njërën prej tyre së shpejti do të kem një takim, ku do t’i shqyrtojmë mosmarrëveshjet. Unë jam i interesuar që t’i lehtësojmë edhe më tutje procedurat, jo veç sa thotë ligji. Por, ta keni parasysh që ka një rënie të sektorit të ndërtimtarisë”.

“Ky gjeneralizimi që s’po jep Komuna leje ndërtimi është pak propagandë”, ka thënë kryetari i Prishtinës.

“Jam i gatshëm te diskutojmë për çdo ndërtesë në veçanti, por ligjin nuk e shkel. Tash, nëse këta thonë lësho leje duke e shkelur ligjin, atëherë unë nuk e bëj atë farë pune”.