AGK reagon ndaj bojkotit të Vetëvendosjes për mediat, e dënon edhe cilësimin e Manxhukës për mediat si “institucione paralele”
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj bojkotit të Lëvizjes Vetëvendosje për disa media në vend. Përmes një postimi në Facebook, AGK ka shkruar se ky bojkot është një zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për…
Lajme
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj bojkotit të Lëvizjes Vetëvendosje për disa media në vend.
Përmes një postimi në Facebook, AGK ka shkruar se ky bojkot është një zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet për politikat e saj.
AGK ka ftuar LVV-në që ta rishqyrtojë pozicionin e saj dhe t’u ofrojë mediave qasje të barabartë në fushatë, shkruan lajmi.net.
“Mediave duhet t’u mundësohet që në mënyrë të barabartë të paraqesin programet e të gjitha subjekteve politike që garojnë, pasi puna e tyre është në interes të publikut. Bojkoti i paralajmëruar paraqet goditje të qëllimshme ndaj pluralitetit medial që e shquan Kosovën dhe është vazhdimësi e një sërë veprimesh të kësaj qeverie dhe të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër gazetarëve dhe mediave në Kosovë”, ka shkruar AGK.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar edhe targetimin e vazhdueshëm që zyrtarët e Vetëvendosjes bëjnë ndaj gazetarëve dhe mediave e gjithashtu edhe postimin e sotëm të zëdhënësit Arlind Manxhuka, i cili, mes tjerash, cilëson mediat edhe si “institucione paralele”.
“Kjo gjuhë e rrezikshme është e papranueshme dhe vështirëson klimën për ushtrimin e gazetarisë në Kosovë”, thuhet në reagimin e AGK-së. /Lajmi.net/
Postimi i plotë në Facebook: