AGK reagon kundër presionit ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar lidhur me presionin me të cilin po përballet gazetar i të përditshmes “Koha Ditore”, Vehbi Kajtazi, nga disa zyrtarë të misionit të EULEX-it.
Lajme
Kajtazi në numrat e fundit të kësaj gazete, ka publikuar shkrime me anë të të cilave ka treguar për nivelin e korrupsionit në këtë mision europian.
Reagimin e plotë të AGK-së, mund ta lexoni si vijon:
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është shumë i shqetësuar me presionin që zyrtarë të misionit të EULEX-it në Kosovë, i kanë bërë gazetarit të “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazit.
Ai deklaron se zyrtarët e këtij misioni kanë bërë presion mbi të duke tentuar ta ndalin një raportim, që kishte të bënte me dyshimet për përfshije në korrupsion të zyrtarëve të EULEX-it.
AGK-ja kërkon nga misioni i EULEX-it, që të jetë partner i gazetarëve në informimin e drejtë të opinionit publik.
AGK-ja vlerëson se përpjekja e kujtdoqoftë për të penguar gazetarët në punën e tyre është e pa pranueshme dhe tendencë për ta penguar fjalën e lirë në Kosovë.