AGK: Projektligji për KPM-në krijon pasiguri juridike, mund të ndihmojmë draftimin e një ligji për media sipas standardeve evropiane

Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Flutura Kusari, këshilltare ligjore kanë mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me ligjin për KPM-në.  Pas kësaj konference, AGK ka dalë me një komunikatë për media ku thotë se projektligji për KPM-në është draftuar nga qeveria në procedurë jotransparente, pa përfshirjen…

Lajme

27/06/2024 10:49

Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Flutura Kusari, këshilltare ligjore kanë mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me ligjin për KPM-në. 

Pas kësaj konference, AGK ka dalë me një komunikatë për media ku thotë se projektligji për KPM-në është draftuar nga qeveria në procedurë jotransparente, pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe të industrisë së mediave dhe është aprovuar në qeveri në kohë festash të fundvitit.

Sipas AGK-së, Këshilli i Europës, Komisioni Europian, Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë kanë gjetur që projektligji devijon nga standardet europiane dhe kanë ofruar rekomandime për ta përmirësuar projektligjin. Rekomandimet nuk janë shqyrtuar apo trajtuar me seriozitet nga ana e Komisionit për Media dhe 83% e tyre janë injoruar.

“Projektligji për KPM nuk është i qartë, krijon pasiguri juridike dhe nuk respekton parimin e proporcionalitetit. Përmes tij, ndër të tjera, pritet të kapet politikisht Komisioni i Pavarur për Media dhe mediat online do t’i nënshtrohen një rregullimi kaotik që nuk do të funksionojë në praktikë. Nëse aprovohet projektligji, pluralizmit medial si një arritje dhe vlerë që e dallon Kosovën nga rajoni do të rrezikohet seriozisht. Ne e ftojmë Lëvizjen Vetëvendosje që të mos e votojë këtë projektligj që shkelë standardet e Këshillit të Europës dhe kërkojmë që draftimi i tij të bëhet përmes një grupi të gjerë punues që përfshinë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe industrisë së medias. Ne shprehim gatishmërinë tonë që të ndihmojmë procesin e draftimit me synimin për një ligj për media që është në pajtim të plotë më standardet europiane”, thuhet në komunikatë.

AGK ka thënë se Kosova ka pësuar një rënie të paprecedentë dhe alarmante në indeksin e lirisë së mediave të Reporterëve pa Kufij, duke rënë për 19 vende në krahasim me vitin paraprak prandaj sipas tyre edhe miratimi i këtij ligji nuk do të kontribuojë në përmirësimin e lirisë së mediave në vend.