AGK kritikon Sinjalin për shkelje të Kodit të Etikës në raportimin për tragjeditë njerëzore
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur keqardhje dhe “zhgënjim të thellë” ndaj portalit Sinjali, duke e akuzuar për shkelje të vazhdueshme të Kodit të Etikës në raportimin për tragjedi njerëzore. Në reagimin e saj, AGK ka veçuar veçanërisht raportimet për rastet e vetëvrasjeve, duke thënë se në disa raste është zbuluar identiteti dhe janë…
Lajme
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur keqardhje dhe “zhgënjim të thellë” ndaj portalit Sinjali, duke e akuzuar për shkelje të vazhdueshme të Kodit të Etikës në raportimin për tragjedi njerëzore.
Në reagimin e saj, AGK ka veçuar veçanërisht raportimet për rastet e vetëvrasjeve, duke thënë se në disa raste është zbuluar identiteti dhe janë publikuar rrethana të aktit, raporton lajmi.net
“AGK-ja shpreh keqardhje dhe zhgënjim të thellë që portali Sinjali.com zgjedh të shkelë vazhdimisht Kodin e Etikës në raportimin për tragjedi njerëzore”, thuhet në reagim.
Asociacioni u ka bërë thirrje drejtuesve dhe stafit të portalit që t’i rikthehen respektimit të Kodit të Etikës të Këshillit të Mediave të Shkruara.
Sipas AGK-së, raportimi për raste të ndjeshme, tragjedi apo persona në zi kërkon “maturi, empati dhe vetëpërmbajtje të lartë”.
AGK ka theksuar se mediat duhet të sigurohen që raportimet e tyre të bazohen në parimet etike, duke respektuar mbi të gjitha dinjitetin njerëzor, interesin e publikut dhe privatësinë e personave privatë të përfshirë në raste të tilla./Lajmi.net/