AGK-ja dënon sulmet e deputetes Fitore Pacolli kundër gazetares Blerta Foniqi- Kabashi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i shokuar me sulmin e paprecedent, “personal dhe shumë të rrezikshëm të deputetes së partisë politike, Vetëvendosje, Fitore Pacolli kundër gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi – Kabashi”. Deputetja Pacolli e ka shënjestruar gazetaren e Transmetuesit Publik, RTK disa orë pas një interviste të përbashkët në emisionin “Info Plus”,…

Lajme

28/07/2025 22:17

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i shokuar me sulmin e paprecedent, “personal dhe shumë të rrezikshëm të deputetes së partisë politike, Vetëvendosje, Fitore Pacolli kundër gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi – Kabashi”.

Deputetja Pacolli e ka shënjestruar gazetaren e Transmetuesit Publik, RTK disa orë pas një interviste të përbashkët në emisionin “Info Plus”, ku ajo u pyet për të gjitha zhvillimet aktuale, duke përfshirë raportimet për përfitimet e mundshme të familjarëve të saj nga buxheti i shtetit.

Pacolli ka shkruar se gazetarja “kishte misionin e porositur nga jashtë” dhe se “pyetjet e saj ishin të dirigjuara”.

“Kjo formë e linçimit të gazetares nga një deputete e zgjedhur është jashtëzakonisht e rrezikshme, dhe u jep platformë mijëra të tjerëve që të vazhdojnë sulmet.

AGK-ja e fton deputeten Pacolli dhe të gjithë zyrtarët e tjerë që të përmbahen nga deklaratat e komentet nxitëse kundër gazetarëve, dhe në vend të kësaj të ofrojnë transparencë, duke u përgjigjur në të gjitha pyetjet e interesit public”, vijon AGK.