AGK-ja dënon gjuhën linçuese të Faruk Mujkës kundër gazetares Mimoza Koprani – Muçaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar sulmin që kryeshefi ekzekutiv i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, e ka bërë kundër gazetares së KTV-së, Mimoza Koprani-Muçajt. AGK-ja tha se Mujka ka reaguar për pyetjet e gazetares në intervistë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilat i ka quajtur si diçka “skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim…

Lajme

04/12/2024 23:41

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar sulmin që kryeshefi ekzekutiv i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, e ka bërë kundër gazetares së KTV-së, Mimoza Koprani-Muçajt.

AGK-ja tha se Mujka ka reaguar për pyetjet e gazetares në intervistë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilat i ka quajtur si diçka “skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit”.

“Ish-zyrtari i Vetëvendosjes e ka krahasuar televizionin KTV me Sputnikun dhe Russia Today, makina propaganduese të regjimit të Putinit. AGK-ja konsideron se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme ndaj gazetares dhe mediumit ku punon ajo”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Tutje, AGK-ja tha se Mujka dhe zyrtarë të tjerë publikë duhet të ballafaqohen me të gjitha pyetjet që ngrihen për interesin e publikut dhe bëri thirrje që të ndalojnë së përdoruri gjuhë denigruese.