Agjencia e Menaxhimit Emergjent: Zjarri në Deçan është nën kontroll
Zjarri që ka përfshirë një pjesë të maleve të Deçanit është nën kontroll. Agjencia e Menaxhimit Emergjent përmes Facebook ka njoftuar përmes Facebook se zjarri është nën kontroll, teksa ekipet po punojnë për shuarjen e zjarrit. Për shuarjen dhe parandalimin e zjarrit thuhet se janë mobilizuar forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore…

Lajme
Zjarri që ka përfshirë një pjesë të maleve të Deçanit është nën kontroll.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent përmes Facebook ka njoftuar përmes Facebook se zjarri është nën kontroll, teksa ekipet po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Për shuarjen dhe parandalimin e zjarrit thuhet se janë mobilizuar forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore si dhe vullnetarë.
“Sipas raporteve të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, në nivel vendi është vërejtur një shtim i zjarreve. Një nga zjarret më të mëdha aktualisht është regjistruar në Komunën e Deçanit, në vendin e quajtur “Çeli”, ku kanë përfshirë një sipërfaqe me gështenja dhe shkurre. Pas pranimit të njoftimit, janë mobilizuar forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore si dhe vullnetarë. Ekipet po punojnë intensivisht për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, aktualisht, zjarri është nën kontroll” thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim apelohet që qytetarët të kenë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë stinës së thatë, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë.
“Agjencia e Menaxhimit Emergjent, MPB, apelon për kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë stinës së thatë, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë dhe duke raportuar menjëherë çdo rast të dyshimtë në numrin emergjent 112. Ky numër është falas nga të gjithë operatorët e komunikimit elektronik në Kosovë. Kujdesi dhe veprimi i shpejtë i secilit mund të ndihmojë në parandalimin e dëmeve të mëdha në mjedis dhe rrezikut për jetën dhe pronën e qytetarëve”, theksohet në njoftim./Lajmi.net/