Agim Bahtirit i mbeti merak që nuk u takua me Kadri Veselin në Mitrovicë

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar pas vizitës së kryeparlamentarit, Kadri Veseli në Stadiumin Olimpik, Adem Jashari.

Lajme

09/08/2018 15:56

Madje, Bahtiri përmes një postimi në Facebook, e ka akuzuar Veselin edhe për ndarjen e këtij qyteti, shkruan lajmi.net.

“Dua t’i them kryetarit të Kuvendit, se jug dhe veri nuk ka pasur Mitrovica por ju e bëtë të jetë e tillë, këtë e them sepse sot paskit deklaruar që Kosova nuk ka veri dhe jug, ajo është një”, ka shkruar Bahtiri.

E Bahtirit i ka mbetur ‘merak’ për t’u takuar me Veselin në Mitrovicë, për t’i treguar siç thotë ai se qytetarët e Mitrovicës ndihen mirë prej vitit 2013 kur Agim Bahtiri mori kryesimin me Mitrovicën.

Ky është postimi i plotë i Bahtirit në Facebook:

“Kadri Veseli paska dalur këndej pari nga Mitrovica, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, e në vend se të e shikoj emrin e ndritur të Komandantit e të frymëzohet për të bërë vepra të mira dhe të largohet nga injoranca, ky paska zgjedhur të tregohet injorant përsëri.

Dua t’i them kryetarit të Kuvendit, se jug dhe veri nuk ka pasur Mitrovica por ju e bëtë të jetë e tillë, këtë e them sepse sot paskit deklaruar që Kosova nuk ka veri dhe jug, ajo është një.

Ju paskit dal në qytetin tuaj, aty ku je lindur e je rritur, e më mbeti merak të ju takoj për t’iu treguar se qytetarët e Mitrovicës ndihen shumë mirë që nga viti 2013 kur ju ikët nga Komuna si Parti Demokratike dhe kjo ishte gjëja më e shtrenjtë që i’a dhuruat Mitrovicës, andaj ju falenderoi në emër të qytetareve për këtë mirësi”.