Agim Ademi nga SHBA: Nuk po kërkojmë lëmoshë për futbollin e Kosovës, por partneritet
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të aktiviteteve të lidhura me Kupa e Botës 2026, ka zhvilluar takime me përfaqësues të federatave dhe institucioneve të rëndësishme të futbollit botëror. Përmes një postimi publik, Ademi tha…
Sport
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të aktiviteteve të lidhura me Kupa e Botës 2026, ka zhvilluar takime me përfaqësues të federatave dhe institucioneve të rëndësishme të futbollit botëror.
Përmes një postimi publik, Ademi tha se në këto takime ka përcjellë mesazhin se Kosova nuk kërkon favore, por partneritete që kontribuojnë në zhvillimin e futbollit sipas standardeve ndërkombëtare.
“Nuk po kërkojmë lëmoshë, por partneritet. Nuk po kërkojmë favore, por bashkëpunim të ndërsjellë që ndihmon zhvillimin e futbollit tonë”, ka shkruar ai.
Sipas Ademit, tashmë janë iniciuar memorandume bashkëpunimi me disa federata mike, të cilat synojnë zhvillimin profesional të sektorëve të ndryshëm të futbollit në Kosovë.
Ai bëri të ditur se bashkëpunimet e planifikuara do të përfshijnë programe trajnimi dhe shkëmbimi për drejtorë sportivë, skautë, video-analistë të performancës, administratorë të futbollit, financierë sportivë, specialistë të marketingut dhe profesionistë të medias sportive.
Ademi theksoi se futbolli modern nuk zhvillohet vetëm në fushën e lojës, por edhe përmes menaxhimit, analizës, marketingut dhe organizimit profesional.
Sipas tij, investimi në kuadro profesionale mbetet mënyra më e sigurt për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe konkurrues që do t’i shërbejë futbollit kosovar në të ardhmen. /lajmi.net/