Agim Ademi kujton Agim Bytyqin në gjashtëvjetorin e vdekjes: Kontributi i tij mbetet pjesë e historisë së futbollit të Kosovës

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka përkujtuar ish-kryetarin e parë të kësaj federate, Agim Bytyqin, në gjashtëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Përmes një postimi, Ademi ka vlerësuar lart kontributin e Bytyqit për zhvillimin e futbollit të Kosovës, duke theksuar se ai ishte një nga figurat që hodhën themelet…

Sport

10/10/2026 14:50

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka përkujtuar ish-kryetarin e parë të kësaj federate, Agim Bytyqin, në gjashtëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Përmes një postimi, Ademi ka vlerësuar lart kontributin e Bytyqit për zhvillimin e futbollit të Kosovës, duke theksuar se ai ishte një nga figurat që hodhën themelet e futbollit të pavarur në rrethana të vështira, transmeton lajmi.net

Sipas Ademit, Bytyqi dhe bashkëpunëtorët e tij punuan me përkushtim për ta mbajtur gjallë ëndrrën e një futbolli të lirë, në një kohë kur kjo kërkonte sakrificë dhe vendosmëri të madhe.

Ai ka theksuar se arritjet e sotme të Kombëtares së Kosovës dhe klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare janë edhe rezultat i punës së atyre që e nisën këtë rrugëtim në kohët më të vështira.

Ademi ka nënvizuar se vepra dhe ideali i Agim Bytyqit do të mbeten pjesë e pandashme e historisë së FFK-së, duke e cilësuar ruajtjen e kësaj trashëgimie si përgjegjësi institucionale dhe njerëzore.

“Kanë kaluar gjashtë vjet pa ty, por kujtimi yt mbetet po aq i freskët e i gjallë. Mirënjohja për atë që ishe dhe për gjithçka që bëre për futbollin tonë nuk do të shuhet kurrë”, ka shkruar Ademi në përkujtimin e tij.

Postimi i plotë:
Ka njerëz që largohen fizikisht nga kjo botë, por gjurmët që lënë pas mbeten të pashlyeshme në historinë e një kombi dhe të një sporti. Agim Bytyqi ishte padyshim një nga këto figura emblematike.
Sot, në 6-vjetorin e ndarjes nga jeta, e kujtojmë me respektin më të thellë dhe me vlerësimin më të lartë për gjithçka që i dha futbollit të Kosovës.
Si kryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyqi pati guximin vizionar të besonte dhe të punonte për një futboll të lirë e të pavarur atëherë kur kjo kërkonte sakrificë sublime, vendosmëri të hekurt dhe dashuri të pakushtëzuar për atdheun. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk hodhën vetëm themelet e një institucioni, por mbajtën gjallë ëndrrën e madhe që sot e jetojmë të gjithë së bashku.
Sa herë që shohim Kombëtaren tonë dhe klubet kosovare të përfaqësojnë me dinjitet flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, kemi detyrim moral të kujtojmë me përulësi ata që e nisën këtë rrugëtim në kohët më të vështira. Pas çdo fitoreje e arritjeje të sotme, qëndron mundi, djersa dhe përkushtimi i njerëzve si Agimi, që besuan edhe atëherë kur rrugëtimi deri këtu ku jemi sot pothuajse dukej i pamundur.
Vepra, kontributi dhe ideali i Agim Bytyqit janë e do të mbeten pjesë e pandashme e ADN-së së FFK-së. Është përgjegjësi e jona institucionale dhe njerëzore që këtë trashëgimi ta ruajmë me krenari e ta lartësojmë ditë pas dite.
I dashur miku im, kanë kaluar gjashtë vjet pa ty, por kujtimi yt mbetet po aq i freskët e i gjallë. Mirënjohja për atë që ishe dhe për gjithçka që bëre për futbollin tonë nuk do të shuhet kurrë.
I përjetshëm kujtimi për Ty!🕊️🇽🇰/lajmi.net/