Afrimi i Kosovës në nivelin e zhvillimit të BE-së kërkon dekada, thotë Mustafa në librin e tij
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka promovuar librin “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me BE-në”. Ky libër, i cili u promovua në ambientet e Akademisë së Shkencave të Kosovës, u tha se ka një qasje shkencore dhe profesionale. Para shumë të pranishmëve, mes tyre deputetë të LDK-së dhe ish-funksionarë të lartë të kësaj partie, Mustafa tha…
Lajme
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka promovuar librin “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me BE-në”. Ky libër, i cili u promovua në ambientet e Akademisë së Shkencave të Kosovës, u tha se ka një qasje shkencore dhe profesionale.
Para shumë të pranishmëve, mes tyre deputetë të LDK-së dhe ish-funksionarë të lartë të kësaj partie, Mustafa tha se afrimi i Kosovës në nivelin e zhvillimit të Bashkimit Evropian kërkon dekada.
Sipas tij, Kosova ka zhvilluar një model ekonomik të bazuar në konsum dhe jo në prodhim, prandaj niveli i importeve është i madh dhe ka bilanc negativ tregtar.
“Ekonomia jonë e matur me ekonominë e BE-së, jo në pikëpamje të bruto-produktit vendor, por të standardit të qytetarëve, qëndron dukshëm prapa. Neve na nevojiten dekada të tëra për t’u konvergjencuar me Bashkimin Evropian dhe, të matur me rrjedhat e deritanishme ekonomike, të cilat për fat të keq po ndryshojnë, tani duhet të përshtatemi me gjeoekonominë dhe gjeopolitikën për të parë se ku do të ketë vendin Kosova si ekonomi e vogël… Ne kemi zhvilluar një model ekonomik të bazuar në konsum dhe jo një model ekonomik të bazuar në prodhim. Ne konsumojmë më shumë si shoqëri sesa që prodhojmë. Jemi të varur nga remitencat, të varur nga importet, prandaj kemi një bilanc negativ tregtar. Është e domosdoshme të ndryshojmë këtë model ekonomik”, tha ai.
Fjalë të mira për librin, në cilësinë e recensionistes, dha edhe kryetarja e Akademisë së Shkencave të Kosovës, Justina Pula.
“Ka një qasje shkencore, moderne dhe profesionale të bazuar në mbulimet dhe relevancën e kohës së kësaj fushe. Akademik Mustafa, me profesionalizmin e tij teorik dhe shkencor, si dhe përvojën praktike, paraqet një gërshetim shkencor të teorisë së ekonomisë së tregut të lirë, teorisë së konvergjencës ekonomike dhe politikave ekonomike që ka ndjekur Kosova në hapat e saj të zhvillimit ekonomik dhe social. Prandaj edhe në këtë libër ai sjell risi si nga qasja hartuese, metodologjike, duke ndjekur një qasje shkencore dhe duke konsistuar në përfshirje të vështrimit intelektual dhe profesional të konvergjencës së ekonomisë së Kosovës me Bashkimin Evropian”, theksoi ajo.
Ndërkaq, recensionisti tjetër, akademik Besnik Krasniqi, tha se libri jep një kontribut të rëndësishëm në fushën e ekonomisë për vendin.
“Trajton një nga çështjet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Ky libër është një kontribut i rëndësishëm në fushën e ekonomisë dhe debatin shkencor mbi zhvillimin ekonomik, institucionet dhe procesin e integrimit evropian të vendit tonë. Tema e konvergjencës ekonomike është një nga konceptet qendrore të ekonomisë dhe zhvillimit. Ai lidhet me procesin përmes të cilit ekonomitë më pak të zhvilluara afrohen gradualisht në nivelin e zhvillimit të vendeve të avancuara. Në rastin e Kosovës, ky proces është i lidhur ngushtë me perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe përpjekjet për të ndërtuar një ekonomi moderne të tregut”, theksoi ai.
Mustafa është anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës që nga viti 2012./kp