Afrim Hoti: Kosova po mbetet prapa në diplomaci
Profesori universitar Afrim Hoti ka vlerësuar se funksionimi i një shteti me të ngarkuar me punë në vend të ambasadorit është sinjal i fuqishëm se raportet diplomatike nuk janë në nivelin e dëshiruar. Sipas tij, një situatë e tillë duhet të lexohet si mesazh negativ dhe institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa për përmirësimin…
Lajme
Profesori universitar Afrim Hoti ka vlerësuar se funksionimi i një shteti me të ngarkuar me punë në vend të ambasadorit është sinjal i fuqishëm se raportet diplomatike nuk janë në nivelin e dëshiruar.
Sipas tij, një situatë e tillë duhet të lexohet si mesazh negativ dhe institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike.
Hoti ka kritikuar gjithashtu mungesën e një kontrate aktive të Kosovës me kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar këtë si një mangësi serioze në diplomacinë kosovare.
“Është fatale, sepse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës funksionohet me sistem tjetër. Nuk funksionohet vetëm në kuptimin e komunikimit bilateral mes këtyre shteteve. Flasim për një qendër ku ka gravitim nga të gjitha vendet e botës dhe secili vend synon që t’i përçojë në mënyrën më të mirë të mundshme mesazhet e veta”, tha Hoti.
Ai theksoi se Kosova ka mbetur prapa edhe në angazhimin e lobimit dhe shfrytëzimin e mekanizmave të tjerë për promovimin e interesave të saj.
“Shërbimi ynë i jashtëm nuk është në nivelin e duhur dhe kjo kryesisht ka ardhur për shkak të neglizhencave të brendshme”, deklaroi Hoti.
Profesori Hoti tha se vendet e rajonit, përfshirë Serbinë, kanë bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim dhe po arrijnë ta përmirësojnë imazhin e tyre ndërkombëtar.
“Po relativizohet e keqja ose njolla e zezë dhe, për shkak të këtyre lobeve, Kosova fatkeqësisht po mbetet praktikisht adresë e fajit dhe e së keqes në rajon”, u shpreh ai.
Në fund, ai e përmendi edhe një proverb për të ilustruar pozitën e shteteve të vogla përballë fuqive të mëdha: “Lufta e të mëdhenjve është taksirati i të vegjëlve.”