Afganistan, 48 të vdekur në dy atentate

Dy sulme vetëvrasëse të ndodhura të martën në Afganistan u kanë marrë jetën të paktën 48 personave dhe kanë plagosur disa dhjetëra të tjerë.

Bota

17/09/2019 23:48

Sipas mediave ndërkombëtare, një nga shpërthimet u verifikua në provincën Parvan, në veri të Kabulit, në një miting politik ku do të fliste edhe presidenti Ashraf Gani.

Ndërsa shpërthimi i dytë ndodhi në afërsi të ambasadës amerikane në qendër të kryeqytetit afgan. Në dy shpërthimet u verifikuan përkatësisht 26 dhe 22 viktima. Atentatet u morën përsipër nga guerrilasit talebanë përmes një komunikate për shtyp.

“I kishim paralajmëruar qytetarët që të mos merrnin pjesë në tubime politike. Tani, nëse ata vuajnë është faji i tyre”, thuhet në deklaratë.

Grupi i rebelëve ka vijuar fushatën e atentateve edhe pse në të njëjtën kohë është i përfshirë në bisedimet për paqen. Megjithatë, më herët gjatë muajit presidenti amerikan Donald Trump i shpalli negociatat me ta “të vdekura”.

Nga ana e tyre, rebelët refuzojnë të ulen në bisedime me qeverinë afgane dhe kanë paralajmëruar se do të pengojnë zgjedhjet presidenciale që mbahen më 28 Shtator./ABC News Albania 24/7.