Afera e mesazheve në komunën e Prishtinës | Sveçla i drejtohet Ramës: Nëse gjithçka është në rregull, pse nuk po i hapni dosjet?

Shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me aferën e mesazheve të Florent Maliqit, shefit të kabinetit të Përparim Ramës, që u publikuan javë më parë. Në këto mesazhe, që pretendohet se i ka shkruar Maliqi, flitet për legalizime të objekteve dhe marrje e parave…

Lajme

14/08/2026 10:28

Shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me aferën e mesazheve të Florent Maliqit, shefit të kabinetit të Përparim Ramës, që u publikuan javë më parë.

Në këto mesazhe, që pretendohet se i ka shkruar Maliqi, flitet për legalizime të objekteve dhe marrje e parave për legalizimin e tyre në mënyrë të paligjshme, transmeton lajmi.net.

Sveçla në konferencë tha se dega e VV-së në Prishtinë i ka kërkuar komunës dosjet e katër objekteve të legalizuara, por që komuna i ka dhënë vetëm certifikatat e legalizimit.

“Nëse gjithçka është në rregull, pse nuk po i hapni dosjet? Ato që na kanë dorëzuar, certifikatat na tregon se objekti është legalizuar, dosja tregon se si është legalizuar.”, tha Sveçla fillimisht.

Tutje, ai tha se katër objektet e legalizuara, janë përmendur në mesazhet e pretenduara të Maliqit me një person tjetër.

“Të katërt objektet që përmenden në mesazhe janë të legalizuara. Përmbajtja e këtyre komunikimeve nuk mund të hidhet poshtë si bisedë private. Në komunikime Florent Maliqi thotë se Përparim Rama dëshiron ta bëj shef të kabinetit, më vonë kjo ndodhë.”

“Katër rastet e legalizimit janë bërë nga një zyrtare. Komuna po refuzon të na jap dosjet.”, u shpreh ai.

Shefi i asamblistëve të VV-së kërkoi nga Prokuroria që të bëj hetim të këtyre mesazheve.

“Ne nuk po kërkojmë vetëm hetim të mesazheve, por edhe sistemi që e ka krijuar këtë gjendje.”

“Përparim Rama nuk mund të sillet si kjo çështje nuk ka të bëj me këtë, sepse ai i ka zgjedhur këta njerëz. Asnjë veprim nuk mund të merret pa miratimin e Përparim Ramës.”

“I bëjmë thirrje Prokurorisë të hetoj mesazhet, ti hetoj dosjet, ta hetoj sistemin. Objektet e përmendura në mesazhe janë aty, mesazhet e publikuara i ka Prokuroria. Tani nevojitet hetim i plotë dhe vendosmëri për ta zbardhur çështjen. Asnjë postim i Përparim Ramës nuk e ndryshon çështjen.  Transparenca nuk bëhet me postime në Facebook, por duke i hapur dosjet.”, u shpreh ai.

Sveçla për media tregoi se dy asamblistët e VV-së i janë përgjigjur thirrjes së Prokurorisë për këtë çështje dhe se e vlerëson këtë që e ka bërë Prokuroria.

“Berita Abazi është duke dhënë intervistën e saj për këtë çështje. Çlirim Gërbeshi është intervistuar dje.”, tha ndër të tjera ai.

Në fund, ai shtoi: “Prishtina nuk është pronë e Përparim Ramës.”./lajmi.net/