Afera 15-milionëshe e tenderit të naftës, Prokuroria interviston zyrtarët e “IP Petrol” dhe AQP-së
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me tenderin rreth 15 milionë eurosh për furnizimin me karburant të veturave shtetërore, pas dyshimeve për parregullsi në dokumentacionin e paraqitur nga kompania “IP Petrol”. Organi i akuzës tashmë ka ndërmarrë veprime konkrete dhe ka intervistuar persona të përfshirë në procedurën e tenderimit. Në mesin e të…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me tenderin rreth 15 milionë eurosh për furnizimin me karburant të veturave shtetërore, pas dyshimeve për parregullsi në dokumentacionin e paraqitur nga kompania “IP Petrol”.
Organi i akuzës tashmë ka ndërmarrë veprime konkrete dhe ka intervistuar persona të përfshirë në procedurën e tenderimit. Në mesin e të intervistuarve është përgjegjësi i “IP Petrol”, kompania që ishte shpallur fituese, si dhe zyrtarë të Agjencisë Qendrore të Prokurimit.
Rasti është vënë në lëvizje pas hulumtimit të gazetarit Berat Buzhala, i cili ngriti dyshime mbi mënyrën se si “IP Petrol” kishte dëshmuar përmbushjen e njërit prej kushteve të tenderit.
Në dokumentet e tenderit, AQP kishte kërkuar që operatorët ekonomikë të kishin marrëveshje me një rafineri ose prodhues të karburanteve. Për ta dëshmuar këtë kriter, “IP Petrol” kishte dorëzuar një dokument përmes të cilit pretendonte se kishte marrëveshje me kompaninë britanike “British Petroleum”.
Mirëpo, sipas gjetjeve të publikuara, BP nuk e ka njohur këtë dokument si të sajin. Po ashtu, personi i paraqitur si nënshkrues i dokumentit, Brian Puffer, nuk rezulton të ketë qenë pjesë e kompanisë britanike.
Dyshimet për dokumentacionin janë ngritur edhe në procedurën para Organit Shqyrtues të Prokurimit. Eksperti shqyrtues Bujar Kuçi e ka konsideruar të bazuar ankesën e “Petrol Company” dhe ka rekomanduar anulimin e njoftimit për dhënien e kontratës.
Ai ka kërkuar që procedura të kthehet në rivlerësim, duke marrë parasysh përgjigjen e BP-së lidhur me dokumentin e dorëzuar nga “IP-KOS”, autenticiteti i të cilit është kontestuar.
Raporti i ekspertit të OSHP-së nuk përbën ende vendim përfundimtar, pasi çështja duhet të shqyrtohet nga paneli përkatës.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës kishte pezulluar tenderin 15-milionësh pak ditë pas publikimit të hulumtimit, ndërsa tash rasti është duke u hetuar edhe nga Prokuroria./Lajmi.net/