“Afati për Presidentin ende nuk ka filluar”, Cakolli thotë se koha që po skadon është vetëm për konstituimin e Kuvendit
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth konstituimit të Kuvendit dhe procesit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Cakolli ka sqaruar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit nuk ka filluar ende, pasi sipas tij, ai aktivizohet vetëm një ditë pas…
Lajme
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth konstituimit të Kuvendit dhe procesit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Cakolli ka sqaruar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit nuk ka filluar ende, pasi sipas tij, ai aktivizohet vetëm një ditë pas konstituimit të Kuvendit.
“As sot e as nesër, nuk është dita e fundit kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Afati 60-ditor për këtë proces aktivizohet vetëm ditën pas konstituimit të Kuvendit”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka theksuar se afati që po përfundon është ai për konstituimin e Kuvendit, i cili përfundon nesër në orën 23:59.
“I vetmi afat që po shkon deri në fund është ai për konstituimin e Kuvendit, i cili përfundon nesër, në orën 23:59”, ka deklaruar ai.
Sipas Cakollit, ndërprerja e seancës dhe kërkesa për kohë shtesë nuk përbëjnë shkelje procedurale, por nuk e zgjasin afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
“Edhe pse kërkesa për kohë shtesë dhe ndërprerja e seancës nuk përbën shkelje procedurale, të njëjtat nuk e pezullojnë dhe as nuk e zgjasin afatin kushtetues brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet”, ka shkruar ai.
Cakolli ka shtuar se pa përfunduar procesi i konstituimit të Kuvendit, nuk mund të nisë procedura për zgjedhjen e Presidentit.
“Pa u përmbyllur konstituimi, procedura për zgjedhjen e Presidentit nuk fillon fare. Pas konstituimit, partitë do t’i kenë të plota 60 ditë për diskutime, marrëveshje dhe zgjedhjen e Presidentit”, ka theksuar ai.
Ai ka vlerësuar se kërkesa për “kohë shtesë për Presidentin” duke e shtyrë procesin e konstituimit nuk ka kuptim, pasi pikërisht ky proces e aktivizon afatin për zgjedhjen e kreut të shtetit. /Lajmi.net/